Qeveria e Greqisë duket se do t’u qëndrojë besnike “vijave të kuqe” të panegociueshme për çështjet e punësimit dhe pensioneve, ndaj dhe pret që huadhënësit e BE-së dhe FMN-së të bëjnë gjithashtu disa lëshime për të arritur kështu në një marrëveshje.

Kështu është shprehur zëdhënësi i qeverisë së radikalëve të majtë, këtë të enjte.

“Institucionet ndërkombëtare nuk duhet të presin aspak, që qeveria do të tërhiqet përpara gjithçkaje”, tha Gabriel Sakellaridis në një konferencë për shtyp. “Kur hyn në negociata, atëherë duhet të ketë lëshime nga të dyja palët”.

Athina, përshembull, nuk po i vë më rëndësi çështjes vendimtare të lehtësimit të borxheve gjatë bisedimeve, në mënyrë që të ndihmojë disi në arritjen e një marrëveshjeje, deklaroi ai.

“Nuk do të shkojmë përtej limiteve tona, nuk do të shkelim vijat e kuqe – tha ai. – Është e qartë që nuk mund të shkurtojmë pensionet”.

Athina është në prag të mbetjes pa likuiditet për të paguar pagat e administratës publike dhe këstet e tjera ndaj huadhënësve, por gjithsesi mund të arrijë një marrëveshje me këta kreditorë, të cilët gjithashtu kanë përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje deri në takimin e ministrave të Eurozonës, që do të mbahet të hënën.

Qeveria greeke shpreson që ai takim do të pranojë pozicionin delikat në të cilin ndodhet Greqia dhe do të lejojë Bankën Qendrore Europiane të heqë kufizimet e likuiditetit, në mënyrë që edhe paratë “cash” për grekët të jenë të disponueshme.

I pyetur në lidhje me pagesën e 12 majit ndaj FMN-së, që deri më sot është vënë në diskutim, Sakellaridis ka thënë se Athina synon të paguajë të gjitha detyrimet e saj financiare.

 

Top Channel