Ruçi kritikon opozitën: Asnjë alternativë për reformat kyçe

07/05/2015 00:00

Në seancën parlamentare që po zhvillohet këtë të enjte, kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, duke shprehur shqetësimin për mënyrën sesi qytetarët perceptojnë klasën politike, ka akuzuar opozitën se nuk po bën detyrën e saj.

Duke iu referuar një studimi të kryer nga një institucion amerikan, Ruçi i bëri thirrje opozitës që të ndryshojë kurs dhe të kalojë në debate politike të mirëfillta e jo personale.

“Opozita nuk ka pasur asnjë alternativë në këto 18 muaj. Opozita nuk tha asnjë fjalë për reformën territoriale, asnjë fjalë për reformën e pensioneve dhe reformat e tjera.

Të njëjtën gjë mund të them për reformën në arsim, reformën në shëndetësi dhe atë në drejtësi. Ku jeni? Ky është pozicioni juaj?

Kush nga ju ka bërë interpelancë me kryeministrin apo një mocion me qeverinë? Qytetarët ju kanë votuar që të jeni sa më të përfshirë dhe më luajalë, në mënyrë që të vijnë për t’ju votuar”, ka thënë Ruçi.

Top Channel