Konferenca rajonale për turizmin në Shkup, prezantohet bregdeti shqiptar

07/05/2015 00:00

Në prag të sezonit të ri turistik, zv.ministrja shqiptare e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Brunilda Paskali, ka prezantuar në një konferencë rajonale në Shkup risitë që do të ofrojë bregdeti shqiptar këtë vit.

Para përfaqësuesve të vendeve të rajonit, zonja Paskali tha se Shqipëria ka potencial të madh për turizëm dhe se këtë vit do të ofrojë destinacione të reja për pushuesit. Ajo përmendi edhe ligjin e ri të Turizmit, me të cilin, sipas saj, qeveria shqiptare po kërkon rritjen e cilësisë dhe vendosjen e standardeve të mirëfillta në këtë fushë, që do ta bëjnë vendin një destinacion më të preferuar për shtetasit e huaj.

“Në këtë vit kemi filluar një aksion të madh. Kemi 2-3 muaj që po punojmë intensivisht për të ofruar një ambient shumë të pastër në plazhet tona. Së dyti, jemi duke punuar me strukturat hoteliere për të ofruar shërbime sa më cilësore në shërbimin e përditshëm, e njëkohësisht janë disa ture të reja. Mendohet që të hapet Gjiri i Karaburunit për t’u vizituar apo edhe ishulli i Sazanit”, tha Brunilda Paskali, zv.ministre e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit.

Sa u përket turistëve nga Maqedonia, që vitin e kaluar kanë zënë vendin e dytë të vizitorëve në Shqipëri, zonja Paskali pret që numri i tyre këtë sezon të rritet të paktën me 20%.

Nga ana tjetër, ministri i Ekonomisë në Shkup, Bekim Neziri tha se në 8 vitet e fundit, turizmi në Maqedoni është zhvilluar ndjeshëm, falë investimeve të qeverisë në këtë fushë. Megjithatë, ai parashikon këtë vit një sezon të varfër turistik, për shkak të krizës politike në Shkup.

“Në këtë fazë, aspektet negative janë ende të paevidentuara, ende janë të vogla, por nëse kjo situatë vazhdon me këtë ecuri, unë besoj që në periudhë afatmesme do të kemi probleme serioze”, tha Bekim Neziri, ministër i Ekonomisë në Maqedoni.

Për të tërhequr sa më shumë vizitorë të huaj në vendet e Ballkanit, pjesëmarrësit në konferencën rajonale që u mbajt në Shkup nënvizuan nevojën e thellimit të bashkëpunimit midis këtyre vendeve në fushën e turizmit, përmes ofrimit të paketa të përbashkëta turistike.

 

Top Channel