Kuvendi i Kosovës shtyn projektligjin për festat. Shkak, mungesa e minoritarëve

07/05/2015 00:00

Mungesa e deputetëve të pakicave në seancën e Kuvendit të Kosovës ka bërë, që projektligji për festat zyrtare i parashikuar të votohej të enjten, të shtyhet për një ditë tjetër.

Kjo pasi, sipas Kushtetutës së Kosovës, ligjet me interes jetik për komunitetet nuk mund të votohen pa shumicën e votave, edhe nga radhët e deputetëve të komuniteteve.

Projektligji u tentua të largohej në heshtje nga rendi i ditës, por deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha se qytetarët duhet ta dinë, se ky projektligj nuk po miratohet dhe për shkak të mungesës së deputetëve minoritarë.

Ndonëse drafti final i projektligjit për festat synon heqjen e ditës së Europës, 9 Majin, nga kalendari i festave, gjatë debatit në Kuvend, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Vetëvendosjes kanë kërkuar, që në ligjin e ri dita e Flamurit Kombëtar shqiptar të jetë festë zyrtare.

Po ashtu është kërkuar, që Kosova të ketë një datë të veçantë për Çlirimin dhe për të pagjeturit.

Aktualisht, Kosova ka në kalendar 11 festa zyrtare, prej tyre 6 janë fetare, dy shtetërore dhe në 3 të tjerat përfshihen Viti i Ri, 1 Maji dhe Dita e Europës.

Gjatë punimeve të Kuvendit të Kosovës, të enjten u miratuan projektligji për ndryshimin e ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë; projektligji për armët; projektligji për letërnjoftimet, ai për Avokatin e Popullit dhe projektligji kundër diskriminimit.

 

Top Channel