SHBA: Kandidatët të jenë të pastër. Të rinjtë të luftojnë për demokracinë

07/05/2015 00:00

Në prag të zgjedhjeve lokale dhe në një kohë kur Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar një listim të deputetëve të lidhur me krimin, zv.ambasadori amerikan Henri Jardin, në një takim me studentët e Ekselencës tha se të rinjtë duhet të jenë ata që duhet të luftojnë për demokracinë.

“Ajo që inkurajoj është që njerëzit të mendojnë se çfarë duan. Gjetja e mundësive për të marrë mendimet e njerëzve dhe për t’iu drejtuar kandidatëve pyetjet: si do të sillni punë në zonën time? Si do të bëhet jeta ime më e sigurt? Si do të jetë arsimi? etj. Kjo është e rëndësishme. Dhe ata duhet të përgjigjen, nëse planifikojnë të përmirësojnë situatën. Çështja e dekriminalizimit është po ashtu e rëndësishme. Ju doni kandidatë që të jenë të pastër e të mos kenë probleme me krimin. Kur luftohet aktiviteti kriminal, kur këto çështje demaskohen, atëherë kuptohet që ka një klimë më të shëndetshme. Sepse, nëse ka akuza dhe nuk shkohet më tej, kjo s’është gjë e mirë. Demokracia është diçka për të cilën duhet të luftoni. Kandidati ka rëndësi për demokracinë dhe edukimi i votës së popullit është e vetmja formë për demokracinë”, ka thënë Jardin.

Një pjesë e të rinjve të Ekselencës kanë kërkuar opinionin e zv.ambasadorit amerikan lidhur me situatën ekonomike që vendi ynë po kalon.

“Ju keni pasur probleme me komunizmin ekstrem dhe i keni tejkaluar. Përmirësimi i jetës së individit është në themel të asaj për të cilën ju duhet të luftoni sot. Duhet të luftoni demagogjinë, sepse sot ka alternativa. Ndihem i trishtuar kur shoh që shqiptarët ikin. Shqipëria është një vend i vogël, ku është e vështirë të zhvillohet ekonomia, por njerëzit e talentuar siç jeni ju mund ta bëjnë atë një vend më të mirë për te jetuar”, tha Jardin.

Diplomati amerikan theksoi se Shqipëria ka bërë hapa para, por ka ende sfida të mëdha që lidhen me luftën kundër korrupsionin dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

 

Top Channel