Tryeza e ekspertëve: Të gjithë duan të bëhen prokurorë dhe gjykatës

07/05/2015 00:00

Gjatë këtyre viteve, reformat në sistemin e Jurisprudencës janë kryer në mënyrë rastësore dhe jo strategjike. Nga auditorët e fakulteteve të Drejtësisë diplomohen juristë, tek të cilët nuk i dilet mbanë të skalitet koncepti themelor i drejtësisë dhe i etikës.

Në ditën e katërt të debatit publik për reformën në drejtësi, këto ishin disa nga gjetjet e ekspertëve, ndërkohë që konsiderohet si problem vërshimi i të rinjve për t’u diplomuar në këtë degë.

“Rritja e numrit të Fakulteteve Juridike private është jashtëzakonisht e ndjeshme. Për mendimin tonë ka një performancë të dobët, që vjen jo vetëm nga perceptimi, por dhe nga sondazhe të pjesshme që kemi parë, pasi ka shumë të diplomuar në sistemin e drejtësisë të papunë, ose që punojnë jashtë profilit të tyre”, tha ekspertja Aurela Anastati.

E megjithëse synohet që njerëzit e drejtësisë, të cilët dalin nga këto fakultete të jenë të kualifikuar, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule mendon se, veçanërisht në Jurisprudencë duhet të ketë më tepër rëndësi profili i personit, që nesër do të bëhet gjyqtar apo prokuror.

“Mundet të ta bëjë dëmin më të madh ai, që është shumë i zgjuar nga pikëpamja e njohurive, por nuk ka integritetin personal, integritetin për të dhënë drejtësi, është i dobët përballë presioneve. Atëherë si mund të zgjidhet kjo? Këtu vjen në ndihmë edukimi… testet që bëjnë institucionet dhe institutet, ku vjen në ndihmë psikologjia për të kaluar tek ajo pjesë e trurit që nuk shfaqet. Kemi nevojë, sidomos në drejtësi, ta kërkojmë këtë ndihmë të shkencës, e për këtë na vjen në ndihmë shkenca e psikologjisë”, u shpreh rektori Kule.

Për ekspertin tjetër të nivelit të lartë, Artan Hajdari, edhe pse në doktrinën e së drejtës po këmbëngulet mirë arsimimi, janë lënë jashtë vëmendjes profesionet e lira, tek të cilët ka interes publiku.

“Në qoftë se, nga një pikëpamje shohim që Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka një fotografim të një situate pozitive dhe optimiste, profesione të tjera të lira, siç është Noteria – gjithmonë flas brenda arsimimit juridik, – Përmbarimi apo Ndërmjetësimi, kanë pasur pak mundësi”, deklaroi Hajdari.

 

Top Channel