Basha: Hedhja e fajit dhe e karrikes nuk do ta shpëtojë qeverinë

07/05/2015 00:00

Erseka ishte takimi i fundit i një turi intensiv të Lulzim Bashës, që kishte prezantuar gjatë ditës 4 kandidatë të tjerë të opozitës.

Por qetësia e aktivitetit elektoral u prish nga një i ri me emrin Suel Liço, i cili hodhi një karrike drejt simpatizantëve demokratë, duke plagosur të moshuarin Fuat Ndini.

Pamjet e incidentit mungojnë, por jo identifikimi nga Partia Demokratike i autorit, për të cilin shfaqi foto që e lidhin atë direkt me Partinë Socialiste dhe angazhimin e tij në fushatë.

PD thotë se sulmi është i orkestruar dhe i frymëzuar nga qeveria, drejtuesit e të cilës nuk dënuan as incidentin e pak ditëve më parë në Durrës.

Megjithatë, demokratët u angazhuan për një fushatë të qytetëruar, ku denoncimi i premtimeve të pambajtura të qeverisë dhe alternativa e PD do të jenë shtyllat kryesore të fushatës.

Lulzim Basha synon të tërheqë pas vetes edhe votues të majtë, të cilët sipas tij, nuk meritojnë ndëshkimin që po u jep qeveria e zgjedhur prej tyre.

“Në qoftë se për ne këto dy vite në opozitë kanë qenë ashtu si për fat të keq i parashikonim, vite gënjeshtrash, vite dështimesh, vite mashtrimesh, vite të shtrëngimit të lakut në fyt për çdo qytetar, për votuesit e majtë këtu në Kolonjë dhe kudo në Shqipëri dhimbja është e dyfishtë. Është e dyfishtë, sepse i kanë gënjyer, i kanë mashtruar, i kanë braktisur, u kanë marrë votën dhe i kanë poshtëruar më keq se votuesit tanë. Se njësoj si para 25 vitesh, as hedhja e gurit, as hedhja e karrikes, as hedhja e fajit diku tjetër nuk do t’i shpëtojë nga gjykimi popullor më 21 Qershor”, deklaroi Basha.

Pas takimit për prezantimin e kandidatit të Kolonjës Viktor Duro, Basha bëri edhe një vizitë në spitalin e qytetit, ku simpatizanti demokrat u shtrua për plagët e marra në kokë.

Kreu i opozitës shprehu bindjen se asnjë akt antidemokratik i qeverisë nuk do të trondisë vendosmërinë për votën plebishitare të shqiptarëve më 21 Qershor.

 

Top Channel