PD, kallëzim në prokurori për kryebashkiakun e Durrësit, Dako

07/05/2015 00:00

Partia Demokratike nuk vonoi të kallëzonte penalisht kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili akuzohet se ka bërë zhvendosjen e rreth 2700 personave nga qytete të tjera, në mënyrë që të votojnë në Durrës në 21 Qershor.

Këtë mekanizëm, që sipas opozitës deformon rezultatin e zgjedhjeve në Durrës, drejtuesit më të lartë të Partisë Demokratike ia shpjeguan prokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla, nga i cili kërkohet shpejtësi në hetim për të ndaluar paracaktimin e rezultatit.

“Këta zgjedhës të cilët janë futur në mënyrë arbitrarë nëpër lista, do të hiqen prej tyre dhe nuk do të votojnë në zgjedhjet e 21 Qershorit në Durrës”, tha Edmond Spaho, nënkryetari i PD-së.

“Ndoshta janë hetime komplekse, por duhen bërë sa më shpejt pasi një drejtësi e vonuar është një drejtësi e munguar”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani.

Sipas Partisë Demokratike, në skemën që cënon zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Durrës është përfshirë edhe drejtori i Ndërmarrjes së Plazhit në bashki, i cili u jep të zhvendosurve strehim provizor në pronat e bashkisë, pa vendim të Këshillit Bashkiak.

Sipas Spahos, asgjë nuk legjitimon qëndrimin e kryetarit të bashkisë Vangjush Dako: “Përsa i përket asaj që kjo ka ndodhur edhe në të shkuarën, kjo logjikë më lë të kuptoj se nëse Vangjush Dako vjedh, më lind edhe mua e drejta që të vjedh; nëse Dako shkel ligjin, edhe unë kam të drejtë ta shkel ligjin”.

Top Channel