BE: Shteti ligjor, prioritet i prioriteteve. Asgjë nuk i pengon prokurorët dhe gjykatësit të hetojnë

07/05/2015 00:00

Romana Vllahutin, ambasadore e BE-së në Tiranë, në një intervistë për Top Channel lë të kuptohet se, ajo gjatë mandatit të saj do të jetë e drejtpërdrejtë dhe nuk do të flasë më një gjuhë të rrumbullakosur e diplomatike. Zonja Vllahutin, fillimisht i përgjigjet pyetjes për prioritetin kryesor vendosur Shqipërisë nga BE-ja: Shtetin ligjor dhe luftën ndaj korrupsionit.

Romana Vllahutin: Është prioriteti vendimtar, absolut dhe themeltar. Deri tani, ajo çfarë është arritur mund të them se është një miksim. Shohim dy  gjëra që kanë ndodhur. E para është një reformë masive, siç është ajo në drejtësi, për të cilën janë duke u zhvilluar konsultime nëpërmjet tryezave të rrumbullakta në Parlament. Ne jemi të kënaqur me pjesëmarrjen, si dhe disiplinën e komisionit “ad hock”. Komuniteti ndërkombëtar ka dhënë asistencën e tij dhe është pjesë e këtyre diskutimeve. Ne nuk jemi të kënaqur me faktin se, disa njerëz nuk po marrin pjesë në të tilla diskutime. Ne dëshirojmë shumë të ftojmë gjithsecilin, që është i interesuar të marrë pjesë në këto diskutime, për t’u siguruar se procesi është gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjithë. Më pas, askush nuk mund të gjejë justifikimin e të thotë se ishte ndaluar, apo përjashtuar nga pjesëmarrja.

TCH: Reforma në drejtësi, a mendoni se do të realizohet me sukses dhe do të jetë e paanshme?

Romana Vllahutin: Është një reformë tërësore e sistemit të drejtësisë. Pjesa tjetër lidhet me zbatimin e ligjeve, të cilat janë ekzistuese, përfshi zbatimin e të tjera pjesëve të legjislacionit. Të gjithë ne, në komunitetin ndërkombëtar jemi duke pritur për zbatimin e tyre. Ka ligje në Shqipëri, të cilat që tani mund të vihen në zbatim. Pra, asgjë nuk i ndalon prokurorët, policët apo gjykatësit të hetojnë njerëz, të cilët qartësisht duhet të përballen me ligjit, t’i përgjigjen disa pyetjeve. Kjo është ajo, që ne po bëjmë me zotin Ganaj, autoritetet e Taksave, ministri të ndryshme, prokurorin e Përgjithshëm, t’u shpjegojmë të gjithëve se duhet të bashkojnë forcat dhe të vënë përpara përgjegjësisë, ata njerëz që kanë abuzuar me sistemin për interesa dhe përfitime në kurriz të shtetit dhe qytetarëve në Shqipëri.

Ambasadorja Vllahutin jep këtë vlerësim për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Romana Vllahutin: Një pjesë e legjislacionit, që do ta lejonte në praktikë këtë Byro Hetimi, u gjet jo në përputhje me Kushtetutën, gjë për të cilën disa ministri relevante janë duke punuar në zgjidhjen e kësaj situate. Kolegët tanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të ndihmojnë, sikurse edhe ata të Mbretërisë së Bashkuar. Mendoj se, kur flasim për shtet ligjor në Shqipëri, atëherë sa më shumë institucione të tilla, aq më mirë.

Duke folur për dështimin e javës së shkuar në miratimin e projektligjit për dekriminalizimin, e diplomatja e Bashkimit Europian thotë se propozimet ishin shumë të ngjashme, por për taktika të ndryshme politike nuk u aprovuan.

Romana Vllahutin: Me apo pa këto amendamente, duhet të jetë tejet e qartë për partitë politike dhe udhëheqësit e tyre se, nuk duhet të përfshijnë në listat e kandidatëve njerëz, të cilët mund të kenë pasur në të shkuarën edhe hijen më të vogël të aktivitetit kriminal. Unë e kam thënë shumë herë dhe do ta përsëris sa herë që të mundem, se qytetarët shqiptarë duhet të kenë më të mirët mes tyre për t’i përfaqësuar. Këtu kemi të bëjmë më së shumti me një kredibilitet moral përballë pasjes së ligjeve, të cilat do të ndalojnë së ndodhuri gjëra jo morale.

BE: Do të flasim për kandidatët e inkriminuar
Ambasadorja Vllahutin: Pas datës 13 Maj do të jemi të drejtpërdrejtë

TCH: Cili do të jetë pozicioni juaj për çështjen e kandidatëve me probleme, pasi delegacioni i BE-së në Tiranë është një prej mbështetësve të dekriminalizimit…?

Romana Vllahutin: Pozicioni ynë është shumë i qartë. Ne jemi duke parë. Afati i fundit është 13 Maji dhe pas kësaj date ne do të flasim për atë që mendojmë. Deri më 13 Maj ka kohë për t’i ndryshuar gjërat. Pas kësaj date, ne do të jemi shumë të qartë në mesazhin tonë.

TCH: Sapo thatë që mesazhi juaj do të jetë shumë i qartë. Nënkupton kjo, se ju do t’i tregoni publikisht ata kandidatë, të cilët nuk duhet të garojnë për zgjedhjet e 21 Qershorit?

Romana Vllahutin: Ne jemi duke diskutuar për këtë. Komuniteti ndërkombëtar dhe ne ambasadorët nuk jemi një zyrë ligjzbatuese. Duhet të marrim në konsideratë edhe faktorin e prezumimit të pafajsisë, nëse ka të dhëna, se disa njerëz ishin të përfshirë në aktivitete kriminale, por nuk ka patur dënime etj. Ne duhet të jemi të balancuar, si do ta trajtojmë këtë çështje. Kolegët tanë amerikanë tashmë e kanë hedhur një hap dhe ne do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht rreth kësaj çështjeje. Do ta themi fjalën tonë tepër qartësisht, se cili do të jetë pozicioni ynë. Por mesazhi ynë kryesor për udhëheqësit politikë është ky. Bëni kujdes me listat, në mënyrë që të keni kandidatët e duhur!

BE kujton 65-vjetorin e krijimit
Festa në Shqipëri, koncert në Amfiteatrin e Butrintit

Europa është duke u përgatitur për të festuar 65-vjetorin e krijimit të saj, pas asaj që njihet si “Deklarata Schuman”, më 9 Maj 1950. Ambasadorja tregon sesi edhe Shqipëria do të jetë pjesë e kësaj feste…

Romana Vllahutin
: Këtë vit, ne po përpiqemi të realizojmë diçka të veçantë, duke vendosur të bëjmë një koncert në Butrint për një sërë arsyesh. Idea që kisha për këtë koncert lidhet edhe me një pjesë të punës sime. Promovimin e gjërave të mira që ka Shqipëria, ku përfshihet trashëgimia, kultura dhe arti. Butrinti është një prej vendeve mahnitëse në këtë pjesë të Europës. Doja ta përdorja këtë mundësi, si një rast të mirë për të promovuar turizmin në Shqipëri, duke i treguar njerëzve se ky vend ka shumëçka për të ofruar. Gjithashtu, doja të shkonim në Butrint, pasi këtu shumë kohë më parë ka nisur civilizimi europian. Pra shumë përpara ekzistencës së BE-së dhe kjo është një mundësi e mirë, për të treguar se e gjitha kjo është Europë. Anëtarësimi në BE do të thotë pasje e standardeve të një shteti, por nëse flasim për identitetin, ne të gjithë jemi europianë.

Top Channel