Në pritje të raportit të BE, Bushati: Komisioni pranoi sugjerimin tonë

07/05/2015 00:00

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë për Top Channel flet për reformat që ka bërë Shqipëria për integrimin dhe pasqyrimi i tyre do të bëhet në një raport që pritet të dalë nga Bashkimi Europian.

Bushati thotë se është marrë parasysh propozimi që Komisioni Europian të rishikojë strategjinë e zgjerimit.

“Së pari, ne presim që raporti i progresit që do të publikohet në vjeshtë nga Komisioni Europian do të pasqyrojë qartësisht dhe do të vlerësojë reformat e ndërmarra në vend, kursin pozitiv të reformave dhe natyrisht do të pasqyrojë edhe sfidat me të cilat përballet vendi, sidomos në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi. Së dyti, jam i gëzuar që Komisioni Europian ka marrë për bazë edhe sugjerimin tonë për një lloj rishikimi dhe përmirësimi të strategjisë së zgjerimit, që do të publikohet gjithashtu në vjeshtën e këtij viti, duke vendosur disa elementë krahasimorë ndërmjet vendeve të ndryshme të rajonit, si një mënyrë për ta nxitur më tej procesin e afrimit të vendeve tona me Bashkimin Europian dhe për të na dhënë mundësinë për të nxitur më shumë bashkëpunimin rajonal, duke qenë se një pjesë e mirë e çështjeve kanë karakter edhe ndërkufitar dhe një pjesë e sfidave janë të tilla që përballen të gjitha vendet e rajonit, pavarësisht stadit në të cilën ato ndodhen në raport me procesin e integrimit europian dhe besoj se kjo do të na ndihmojë për procesin e pritshëm të hapjes së bisedimeve për anëtarësim nê Bashkimin Europian”, thotë Bushati.

TCH: Cilat janë këta elementë?

“Një mundësi që është diskutuar me Komisionin Europian është marrja e disa fushave të rëndësishme të standardeve europiane (praktika europiane), që konsiderohen parësore për të gjitha vendet e rajonit dhe krahasimi, siç ndodhi për procesin e liberalizimit të vizave. Kjo do të nxiste një konkurrencë të ndershme ndërmjet vetë vendeve të rajonit, një zbatim sa më të lartë të standardeve në praktikë. Pra, për pasojë dhe një përmirësim të cilësisë së jetës dhe një ecuri më të përshpejtuar të procesit të integrimit europoian; dhe së dyti, disa çështje për të cilat ne kemi këmbëngulur që janë çështje që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës dhe kapitujt 23 e 24, ku praktikat më të mira të diskutohen dhe ballafaqohen me të gjitha vendet e rajonit, pavarësisht nëse vendi ka filluar zyrtarisht bisedimet për anëtarësim apo jo, sepse kjo do t’i ndihmonte të gjitha vendet dhe do të reduktonte kohën e pritjes nga momenti që Komisioni rekomandon për nisjen e bisedimeve deri në hapjen zyrtare të këtyre bisedimeve”, nënvizon Bushati.

 

Top Channel