Mastersi i Madridit, eliminohet Federer, kalon Nadal

07/05/2015 00:00

Turneu Masters i Madridit shënoi surprizën e parë të tij. U eliminua në raundin e dytë të këtij aktiviteti Roger Federer dhe ai që e mposhti zviceranin ishte Nik Kyrgios. Tenisti australian, i cili vitin e kaluar eliminoi Rafael Nadal në Uimbëlldon, arriti të fitojë sfidën me Federer me rezultatin 2-1.

Federer fitoi setin e parë në këtë ndeshje 7-6, por Kyrgios iu kundërpërgjigj 33-vjeçarit duke fituar të dytin, po me rezultatin 7-6. Rivaliteti ishte i madh edhe në setin final të ndeshjes, që u zgjidh sikurse dy të parët dhe ai që doli i fituar ishte pikërisht Kyrgios, duke bërë që Federer të regjistrojë eliminimin e tij të 11-të në turneun e Madridit.  

Rafael Nadal e pati shumë më të lehtë sfidën e tij ndaj Steve Johnson. Tenisti spanjoll fitoi ndaj amerikanit me rezultatin 2-0, për t’u kualifikuar për në raundin tjetër të turneut Masters të Madridit.

Nadal e kontrolloi kundërshtarin e tij gjatë gjithë ndeshjes dhe i fitoi setet me rezultatin 6-4 dhe 6-3. U kualifikua për në raundin e tretë edhe iberiku tjetër Marsel Granollers, i cili eliminoi Gael Monfils duke e mundur 2-1.

Top Channel