Rama: Keqmenaxhimi i Tiranës merr fund në 21 Qershor

07/05/2015 00:00

Pasi shpërndau 1001 certifikatat e pronësisë në Tiranë, kryeministri Edi Rama deklaroi se shifrat janë kokëforta dhe flasin vetë për seriozitetin e qeverisë, në realizimin e një premtimi elektoral, siç ishte legalizimi i banesave falas.

Sipas Ramës, për një vit u  shpërndanë 25 mijë leje legalzimi, ndërsa qeverisja e shkuar në 8 vite shpërndau vetëm 27 mijë e 300 leje.

Rama kritikoi kryebashkiakun Lulzim Basha për menyrën e keqe të menaxhimit të kryeqytetit: “Në Tiranë nuk është bërë asnjë punë, as për mirë e as për keq. Më tregoni një punë që ka bërë ky. Për çfarë duhet t’i japim votën një kandidati të PD-së? Kur më i miri i PD-së nuk bën asnjë punë, imagjino si janë ata që vijnë pas tij”.

Ky keqmenaxhim i Tiranës, tha Rama, merr fund në datën 21 Qershor: “Për katër vjet, Bashkia e Tiranës, nën drejtimin e Erionit do të jetë një model suksesi jo i krahasueshëm, por edhe më i suksesshëm se modeli që ndërtova unë bashkë me ju”.

Kryeministri Rama lajmëroi ndryshimin ligjor për të gjitha ndërtimet që janë bërë pas 15 janarit 2009, të cilat sot klasifikohen vepra penale. Bëhet fjalë për 60 000 ndërtime të tilla në të gjithë vendin, të cilat përmes kësaj iniciative ligjore qeveria i hap dritën jeshile për t’i përfsjirë në procesin e legalizimit.

Partia Demokratike reagoi menjëherë pas këtyre deklaratave të Ramës. Në reagim, demokratët thonë se “sa më shumë ditë kalojnë, aq më shumë mashtron Rama qytetarët”.

“Rama t’u rrijë larg qytetarëve të majtë e të djathtë që mashtroi me premtimet e tij”, thuhet në reagimin e PD.

 

Top Channel