Njerëzit janë të varur nga celulari

07/05/2015 00:00

A jemi duke e ekzagjeruar me celularin? Studimet e fundit thonë po. Ne nuk i ndahemi celularit në shtëpi, kafe, rrugë, ndërsa “vjedhim” pak kohë nga puna për të kontrolluar atë. Në Britani, studimet tregojnë se mesatarisht një
person kontrollon celularin e tij 50 herë në ditë.

Në të vërtetë, 1/5 e britanikëve janë aq të varur nga celulari sa e marrin me vete edhe në tualet. Këto kërkime flasin për një varësi të njeriut ndaj atij aparati të vogël.

Rreth 29% e britanikëve kontrollojnë celularin si gjënë e fundit para se të flenë gjumë, ndërsa 18% kapin celularin në dorë menjëherë sa zgjohen nga gjumi. Rreth 18% e popullsisë do t’i hedhin një sy celularit nëse zgjohen gjatë natës.

Britanikët shpenzojnë rreth dy orë e 13 minuta në ditë në celular, që i bie 16 orë në javë, e barabartë me dy ditë
pune. Të rinjtë e moshës nga 18 deri 24 vjeç kontrollojnë celularin çdo 15 minuta, ndërsa më pak të varuar janë
mosha e tretë, të cilët “harrojnë” se kanë një celular.

Një tjetër statistikë interesante është se njerëzit shpenzojnë më pak kohë duke bërë thirrje ose kryer një telefonatë, për të cilën edhe janë dizenjuar celularët, ndërsa më shumë kohë, rreth 3 orë në javë, kalojnë në rrjete sociale. Po kaq kohë shpenzojnë edhe duke shikuar fotot e vjetra dhe duke blerë gjëra online.

Rreth 35 minuta në javë shpenzojnë për të bërë “selfie”, e po kaq kohë përdorin edhe kamerën për të parë si duken, si zëvendësim për pasqyrën.

 

Top Channel