Ersekë, incidenti në mitingun e Bashës; policia arreston 27-vjeçarin

07/05/2015 00:00

Policia e Korçës njoftoi arrestimin e shtetasit Suel Liço, 27 vjeç, banues në fshatin Taç-Ersekë. Arrestimi ndaj tij u bë pasi, mbrëmjen e djeshme në qytetin e Ersekës, gjatë takimit që ka pasur PD, ai ka hedhur një karrige në drejtim të podiumit, ku për pasojë është goditur shtetasi Fuat Mydini, 74 vjeç, banues në Ersekë.

Ky është versioni zyrtar i policisë, ndërkohë që i lënduari tregon se çfarë ndodhi gjatë takimit, që po zhvillohej me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Po ai nuk ma hodhi mua, ia hodhi Lulzim Bashës, sepse unë isha shumë pranë me të. Ç’rëndësi ka që më zuri mua. Unë nuk kam gjë me atë djalin, as nuk e njoh fare”, tha Fuat Mydini.

Pas ndihmës së parë mjekësore në Spitalin e Ersekës, i plagosuri është nisur për kontrolle më të specializuara në qytetin e Korçës.

“Kishte marrë një plagë sipërfaqësore në kokë, në pjesën temporale. U mjekua dhe gjendja e përgjithshme e tij është e mirë”, tha Fatime Malushi, drejtoreshë e Spitalit të Ersekës.

Kandidati i majtë në Bashkinë e Ersekës ka komentuar ngjarjen, duke u distancuar e duke e shpjeguar atë si një reagim emocional të 27-vjeçarit, kur ka parë duke folur në tribunë xhaxhain e tij.

“Gjej rastin të distancohem plotësisht nga veprime të tilla, kushdo qofshin pas tyre. Madje dua t’ju siguroj se Kolonja nuk shquhet për incidente të tilla. Gjithashtu, siguroj se fushata, pas kësaj ngjarjeje, do të vazhdojë e qetë, normale. Absolutisht që gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin më, pavarësisht se incidenti i djeshëm kishte karakter emocional. Njëri prej folësve dje në miting ishte xhaxhai i këtij që ka hedhur karrigen. Të tjerat i di vetë Kolonja”, tha Arben Malo, kandidat për Bashkinë Ersekë.

Incidenti ndodhi ndërsa kryetari i Partisë Demokratike po bënte prezantimin e kandidatit të djathtë për Bashkinë e Ersekës.

Top Channel