Pas denoncimit nga fermerët, pezullohet punonjësi i Drejtorisë së Bujqësisë

07/05/2015 00:00

Një punonjës i Drejtorisë së Bujqësisë në Librazhd është pezulluar nga detyra, pasi gjatë një takimi me fermerët në Librazhd, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, dhe deputeti Taulant Balla u njohën për një rast korrupsioni që lidhej pikërisht me punonjësin e pezulluar.

“Me kërkesën e kandidatit tonë për Bashkinë e Librazhdit, Kastriot Gurra, bashkë me ministrin Panariti, sot zhvilluam një takim me fermerë dhe blegtorë të rrethit të Librazhdit për problemet që ata kanë me skemat e subvencioneve dhe me vonesat e pagesave.
 
Bujqësia dhe blegtoria janë dy sektorë shumë të rëndësishëm për zhvillimin e rrethit të Librazhdit. Diskutuam edhe për problemin e kanaleve vaditës.
 
Falënderoj disa prej fermerëve që denoncuan edhe raste korrupsioni, në të shkuarën edhe gjatë vitit të kaluar.
 
Ndaj një personi të akuzuar për korrupsion do iniciohet hetim dhe do ndëshkohet”, ka shkruar deputeti Balla në profilin e tij në Facebook.

Top Channel