Halim Kosova: Ky nuk është vend i mallkuar

07/05/2015 00:00

Në takimet me banorë të Tiranës, kandidati demokrat Halim Kosova po përpiqet të japë mesazhe shpresëdhënëse sesi një komunikim me mirëbesim mes banorëve të kryeqytetit dhe Bashkisë së Tiranës, do të bëjë të mundur zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë direkt me kompetencat e bashkisë.

Dhe kjo filozofi, sipas tij, duhet të mbizotërojë jo vetëm në pushtetin lokal, por edhe në atë qendror, në mënyrë që vendi të ecë përpara.
 
“Ky vend nuk është se është i mallkuar, por duhet njeriu i duhur në vendin e duhur”, tha Kosova.

Megjithatë, Halim Kosova e di që situata nuk është aspak rozë. Në takimet me tregtarët tek zona e Medresesë, ata thonë se nuk ka punë, njerëzit nuk blejnë si më parë dhe fitimet janë minimale. Ndërsa gjatë takimeve në Laprakë, Halim Kosova u fokusua tek rëndësia që do t’i kushtojë përmbushjes së nevojave të kryeqytetit dhe banorëve të tij.
 
“Qyteti i Tiranës ka nevojë për ndeshje të bukura, ka nevojë për ballafaqime frytdhënëse, ka nevojë për të prekur jetën e çdo qytetari dhe mos ndahesh nga problemet që ka ai”, deklaroi Kosova.

Një nga këto probleme është ai i komunitetit rom tek pallati me shigjeta, të cilët u ankuan për strehimin, që sipas kandidatit Kosova, nuk është zgjidhur dhe ka lënë pa banesë me qindra qytetarë për shkak të konfliktit politik në Këshillin Bashkiak.

Zgjidhja që propozon zoti Kosova është  mosndikimi nga politika në drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe zgjidhja e problemeve të qytetarëve pavarësisht përkatësisë politike. Përveç kësaj, Halim Kosova ka edhe një këshille të vlefshme për qytetarët se si të fitojnë të drejtat e tyre.

“Të bëheni së bashku dhe të luftoni për atë që ju takon”, tha Kosova.

Top Channel