Blushi: Varfëria, kërcënimi ynë më i madh

07/05/2015 00:00

Pas deklaratave të forta kundër mazhorancës ku bën pjesë, në seancën e kaluar të Kuvendit Eduard Bejko, deputet i mazhorancës, reagoi duke pyetur deputetin Ben Blushi se cila ishte alternativa e tij për të zgjidhur problemet e shoqërisë, sidomos për varfërinë?

“E pamundur me 400 lekë në ditë. A mund t’i kërkojmë ne atij të paguajë energjinë elektrike? Unë them që jo. Ne kemi detyrimin t’u garantojmë atyre familjeve që jetojnë me 50 mijë lekë në muaj, minimumin jetik, një llampë falas, nga taksat tona. Televizorin, edhe atë. Nuk po them që të ngrohen me kaloriferë. Nga taksat duhet të marrim më shumë dhe të shpërndajmë më shumë. Ilaçet falas. 400 mijë fëmijë, burra, gra me 400 lekë në ditë…Edhe pensionet mund të bëhen më të mira. Nëse ka një emergjencë kombëtare përveç rritjes së ndihmës ekonomike, është dyfishimi i pagës minimale”- tha Blushi.

Megjithatë tonet e deputetit socialist ishin më të ulura ndaj Qeverisë, por i sugjeroi asaj rishpërndarjen e të ardhurave dhe rritjen e performancës në mbledhjen e tyre, po ashtu edhe rishikimin e sistemit të taksimit për shtresën e mesme, çka ka bërë që për herë të parë një ministër qeverie t’i përgjigjet.

“Për fat të keq, duke deformuar të famshmen taksë progresive, që e mbroj deri në fund, ne deformuam në mënyrë progresive taksën progresive, në rastin e shtresës së mesme të paktën. Ne taksojmë më shumë punën se kapitalin. Kjo është një diferencë e madhe që kemi me të djathtën. Nuk mund të shkojmë tek modeli i të djathtës, të taksojmë më shumë atë që punon se atë që bën biznes”- u shpreh deputeti socialist.

“Nuk është e vërtetë që kush e ka pagën 1 mijë euro taksohet 23 përqind. Pagat taksohen në Shqipëri 3, 13 dhe 23 përqind, dhe vetëm për pjesën e pagës mbi 900 euro është 23 përqind, dhe ky është ligji në Shqipëri. Së dyti, sot kapitali taksohet 15 përqind dhe pastaj, pronari, dividenti taksohet 15 përqind. Që do të thotë se 15 dhe 15, pra taksohet 30 përqind. Në rastin më të mirë e ardhura më e lartë nuk kalon 20 përqind”- reagoi deputeti Ilir Beqaj.

Pikëpyetjes se kush është e ardhmja e Blushit, ai vetë i dha përgjigje.

“E kam bërë zgjedhjen time pa asnjë kompromis. Do të jem gjithmonë dhe vetëm me ata që na sollën në pushtet, por sidomos me ata që kanë më shumë nevojë për ne sot. Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e kësaj”- u shpreh Blushi.

Nëse nuk dihet sesa mbështetet jopublikisht nga grupi i tij parlamentar, Blushi duket se ka gjetur jehonën e plotë brenda radhëve të opozitës që e kanë cituar atë në të gjitha fjalimet dhe shkrimet e tij, përjashtuar ish-kryetaren e Kuvendit, që e kundërshtoi në një pikë.

“Nuk kam asnjë dyshim që Blushi mbetet një majtist i pandrequr, por as nuk mund të bie kurrë dakort me të kur thotë që e gjitha kjo që po ndodh është faji i klasës politike. Pse po ikin sot shqiptarët dhe nuk kanë ikur dje? Pse po ndodh sot dhe nuk ndodhi dje”- pyeti ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

“Unë nuk shkruaj për ju dhe duhet të jeni fare pa fantazi që vini këtu dhe merreni me shkrimet e mia. Duhet të gjeni shkrues të tjerë, po për fat të keq s’keni. Meqë jeni marrë me atë punën e Hasanit, do t’u them dy fjalë për atë punën e Hasanit, se s’e keni kuptuar siç duhet. Hasani është produkt i juaj në fakt, ju e kishit pandofël ne e bëmë kapele. Po prap produkt i juaj është. Ta dini!”- reagoi Blushi.

Top Channel