Melanoma, sëmundja e lëkurës që vjen edhe nga dielli

07/05/2015 00:00

Të gjithë e duam plazhin dhe kohën e bukur që kalojmë në të. E ndërsa moti po ngrohet, mendja shkon drejt dëshirës për të pushuar nën rrezet e diellit, të cilat përpos së gjithash na japin një pamje joshëse me errësimin e lëkurës. Kryesisht pikësynimi i vajzave është ky detaj. Të nxihen sa më shumë.

Me apo pa mbrojtje, ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj rrezeve të diellit është i dëmshëm për lëkurën. Më e pakta, shkaktohen djegie të thella në lëkurë, por këto dëmtime mund të avancojnë deri në melanoma, tumore të lëkurës me kalimin e kohës.

E përditshmja britanike “The Indipendent” shkruan se rreziku i zhvillimit të melanomës, një ndër tumoret më vdekjeprurës, ka mundësi më të madhe të shfaqet te personat, të cilët janë djegur së paku një herë nga dielli. Rreziku është dyfish më i madh te një person, i cili ka pësuar 5 ose më shumë djegie nga plazhi.

Dhe, sipas të njëjtit burim, më shumë se 77 përqind e njerëzve nuk arrijnë të dallojnë shenjat e një melanome në trupin e tyre. Kjo është shumë e rëndësishme për ta parandaluar sëmundjen, sepse sipas mjekëve, kanceri i lëkurës në stadin e parë dhe të dytë të shfaqjes së tij është tërësisht i shërueshëm.

Kanceri i lëkurës është ndër sëmundjet vdekjeprurëse më të përhapura. Në Shqipëri nuk ka një regjistër zyrtar për të identifikuar përhapjen e melanomës, por sipas të dhënave nga Spitali universitar “Nënë Tereza”, vetëm vitin e shkuar janë diagnostikuar 40 raste të reja me këtë sëmundje. Ndërsa sipas “Euro melanoma”-s, program europian për studimin e sëmundjes, në vitin 2012 në Shqipëri janë diagnostikuar 38 raste brenda këtij viti.

Janë disa faktorë risku, që shkaktojnë melanomën, siç është faktori genetik dhe dëmtimet e nishaneve, por mundësia për t’u shfaqur pas djegieve në plazh është shumë më e madhe. Ndaj bëni kujdes me mbrojtësit e diellit dhe ekspozimin ndaj rrezeve.

Top Channel