Ja punët më stresuese të vitit 2015

07/05/2015 00:00

Të gjithë mendojnë që puna që bëjnë është më stresuesja, por “CareerCast” ka bërë një klasifikim të punëve më stresuese për vitin 2015. Njerëzit që bëjnë këto punë ballafaqohen me rrezik për humbjen e jetës ose kanë një lodhje të madhe psikologjike. Sidoqoftë, më poshtë po ju rendisim punët më stresuese për këtë vit kalendarik.

1. Zjarrëfikës – Përballen gjithmonë me situata kur vihet në pikëpyetje edhe jeta e tyre. “Luftojnë” flakët, ndërsa kjo nuk është puna e vetme që bëjnë. Ata shpesh asistojnë edhe në raste tjera emergjente, kryesisht fatkeqësi natyrore.

2. Ushtar – Djemtë dhe vajzat që duhen të jeni në gatishmëri dhe të përgatitur për më të keqen. Shërbimi ushtarak cilësohet si puna e dytë më stresuese për vitin 2015, kjo edhe për faktin që jeta e ushtarit nuk është shumë e rëndësishme, para rrezikut që i kanoset vendit.

3. Gjeneral ushtarak – Përgjegjës për gjithçka ndodh në lidhje me ushtrinë. Operacionet e dështuara, humbjet e jetëve të njerëzve dhe të ushtarëve janë disa prej përgjegjësive që mbart mbi supe një gjeneral.

4. Pilot – Të kesh të drejtë të drejtosh një avion duhet të kalosh nëpër stërvitje dhe provime shumë të vështira. Gabimi më i vogël do të thotë qindra jetë të humbura në pak minuta, prandaj jo më kot cilësohet si një ndër punët më stresuese.

5. Polic – Motoja kryesore e një polici është “të mbrosh dhe të shërbesh”. Në kaq pak fjalë mund të marrësh me mend stresin që mund të kenë policët. Ata detyrohen të mbrojnë shtetasit e tyre, por në të njëjtën kohë edhe t’u shërbejnë me përgjegjshmëri.

6. Aktor – Natyra e stresit për aktorët është shumë ndryshme nga ata që bëjnë punët e sipër shënuara. Puna e një aktori me kohë të plotë është shumë e vështirë. Ata ndonjëherë detyrohen të bëjnë “jetë të dyfishtë”, nëse duan që të përcjellin emocionet e personazhit që luajnë.

7. Moderator – Duhet të jenë gjithmonë perfekt. Nuk u tolerohen gabime, pasi njerëzit shohin tek ata përsosmërinë. Para çdo emisioni detyrohen të futen në “botën” e temës që zgjedhin për ta trajtuar, duke lexuar materiale dhe raporte të ndryshme.

8. Koordinator i eventeve – Pavarësisht se me çfarë eventi merreni, nëse jeni kordinator do t’ju sjellë shumë stres. Deri në përfundimin e një eventi kalohet në shumë sfida dhe duhet të jeni gjithmonë në kohë.

9. Fotoreporter – A keni parë një foto që ju ka lënë pa frymë në gazetë ose ueb? Atëherë është koha të falenderoni një fotoreporter, që ndoshta në disa raste rrezikon jetën e tij për të shkrepur aparatin në momentin e duhur.

10. Gazetar – Syri dhe veshi i publikut. Është detyrim i personave që merren me gazetari t’i tregojnë popullit se çfarë po ndodh në të vërtetë. Në shumë raste arrijnë të lëkundin bazat e një shteti dhe të trondisin sistemet.

 

Top Channel