Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin e dixhitalizimit

07/05/2015 00:00

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan me 42 vota pro projektligjin për dixhitalizimin e transmetimeve radio difuzive tokësore, ndonëse pati vërejtje të mëdha nga deputetët e opozitës për mënyrën e hartimit të këtij projektligji. 22 votuan kundër.

Në emër të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë dhe Industri, ligjin e prezantoi Muhamet Mustafa, i cili tha se ligji krijon parakushtet ligjore për kalimin nga transmetimi i sinjaleve analoge në sinjale dixhitale dhe krijon hapësirë më të madhe dhe shfrytëzim më racional të frekuencave si pasuri nacionale.

Me formën e këtij ligji nuk u pajtua deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili më pas ka listuar një varg problemesh e paqartësish, që sipas tij, duhet të sqarohen.

“Ky ligj, në mënyrën si është sjellë këtu, ka shumë probleme dhe mund të shkaktojë shumë vështirësi, jo vetëm në implementim, por edhe kur të implementohet ka rrezik të shkaktojë pabarazi të mëdha në fushën që mbulon”, tha Ymeri.

 

Top Channel