SHBA, marrëveshja me Iranin në “sitën” e Kongresit

07/05/2015 00:00

Senati amerikan kaloi një ligj që i njeh kompetenca Kongresit për të shqyrtuar një marrëveshje të mundshme me Iranin për programin e tij bërthamor.

Ligji i siguron Kongresit 30 ditë kohë për të shqyrtuar marrëveshjen dhe për të bllokuar Shtëpinë e Bardhë nga ndërmarrja e një hapi të njëanshëm në heqjen e sanksioneve në fuqi.

Shtetet e Bashkuara, së bashku me pesë fuqitë e tjera të mëdha (Kina, Rusia, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania) kanë vendosur 30 qershorin si datën përfundimtare për të arritur një marrëveshje të përhershme me Teheranin për programin e tij bërthamor.

Në themel të marrëveshjes është lehtësimi i sanksioneve ndaj Iranit, në këmbim të garancisë së këtij të fundit për të mos përdorur programin e tij bërthamor për qëllime luftarake.

Ndërkombëtarët kërkojnë më shumë transparencë prej Teheranit në këtë aspekt dhe lirinë për të ushtruar në çdo rast që dyshojnë, kontrolle nëpër centralet e tij. Vetë Irani këmbëngul në heqjen totale të sanksioneve.

Presidenti Obama mbështet bisedimet me Republikën Islamike dhe shprehet optimist për arritjen e një marrëveshjeje, por republikanët që kontrollojnë Kongresin janë më skeptikë.

Megjithatë ligji mori mbështetjen e të dyja palëve dhe kaloi me 98 vota pro dhe vetëm 1 kundër. Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se do ta firmosë ligjin pas heqjes prej tij të disa amendamenteve të propozuara nga senatorët republikanë, që për Shtëpinë e Bardhë prishnin ‘rrjedhën e bisedimeve’.

 

Top Channel