Çako dënon veprimin e efektivit në Kukës: I papërligjur. Cenon imazhin e policisë

07/05/2015 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, dënoi veprimet e efektivit të policisë së Kukësit, i cili nxori armën gjatë një proteste të paautorizuar të shoqërisë civile në Rrugën e Kombit.

Gjatë takimeve të zhvilluara këtë të enjte me strukturat e Policisë së Shtetit në Durrës, Berat dhe Vlorë, kreu i policisë tha se “veprime të tilla cenojnë imazhin e policisë shqiptare” dhe se “reagimi ndaj tyre do të jetë i menjëhershëm”.

“Jemi të përqendruar në përmirësimin e raportit të policisë me komunitetin. Veprimi i papërligjur i një punonjësi të policisë cenon rëndë imazhin e policisë, punonjësit e së cilës duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Për këdo që cenon ligjin, rendin dhe sigurinë, reagimi do të jetë i menjëhershëm”, ka deklaruar Çako.

Në takimet me strukturat vendore të policisë është theksuar edhe njëherë si detyrë parësore “parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike”.

 

Top Channel