Kosovë, amendamentet kushtetuese për Gjykatën Speciale, gati javën e ardhshme

07/05/2015 00:00

Amendamentet kushtetuese, që do t’i hapin rrugë formimit të Gjykatës Speciale për krime të luftës, do të jenë të gatshme për miratim javën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës.

Top Channel ka mësuar se të mërkurën do të mblidhet Komisioni për Legjislacion, i cili edhe formalisht do të procedojë për seancë amendamentet që do ta ndryshojnë Kushtetutën e Kosovës.
 
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, konfirmoi përmes telefonit për Top Channel se komisioni që ajo drejton të mërkurën do të vendosë për amendamentet kushtetuese për Gjykatën Speciale.
 
Haxhiu tha se në komision deputetët do të shqyrtojnë përmbajtjen e amendamenteve dhe pastaj janë deputetët ata që do të vendosin për miratimin e tyre.
 
Ndërsa Haxhiu i ka njoftuar edhe deputetët e komisionit për mbledhjen e së mërkurës, zyrtarët europianë që po punojnë për formimin e Gjykatës Speciale kanë vijuar takimet me përfaqësuesit e institucioneve kosovare në Prishtinë.
 
Gjatë së enjtes, ekipet nga Prishtina dhe Brukseli kanë diskutuar detajet e marrëveshjes që duhet të ratifikohet për vendosjen e Gjykatës Speciale në Holandë.
 
Top Channel ka mësuar se në takimin e së enjtes pala kosovare ka diskutuar edhe për mundësinë që, kur të votohen amendamentet për Gjykatën Speciale, të votohet në pako edhe ndryshimi kushtetues për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
 
Por mësohet se zyrtarët europianë nuk kanë shprehur interesim për të bërë ndryshime në pako, ndërsa kanë deklaruar se çështja e Forcave të Armatosura është vendim i brendshëm që duhet ta kryejë vetë Kosova.

 

Top Channel