Zgjedhjet në Britani, Exit Poll: Cameron, përtej parashikimeve

07/05/2015 00:00

Sytë e mbarë botës janë drejtuar te Britania e Madhe, e cila mbajti të enjten zgjedhjet parlamentare që do të përcaktojnë qeverinë e re.

Exit poll-et e para janë bërë publike dhe sipas tyre parashikohet se konservatorët janë partia më e madhe në Parlament me 325 vende, laburistët 232, Partia Nacionaliste Skoceze 56 vende, ndërsa liberal-demokratët 12 vende.

Korrespondenti i Top Channel në Londër, Arben Manaj, në një lidhje me “Skype” në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, tha se Exit Poll-et e para, për të cilët janë pyetur rreth 22 mijë votues, duhen parë me një notë disi të dyshimtë për momentin, pasi mendohet që shkalla e gabimit është rreth 3%. Por nëse këto rezultate do të jenë të vërteta, atëherë kjo do të ishte humbja më e madhe për laburistët që nga viti 1987 dhe, për pasojë Britania që nga viti 1910 do të ketë për herë të dytë një Parlament ku asnjë parti nuk ka shumicën.

Nëse këto rezultate do të vërtetohen, atëherë konservatorët do të kenë të drejtën të krijojnë qeverinë e re, ndërsa partitë e vogla do të jenë ato që do të vendosin qeverinë e ardhshme.

Arben Manaj i komenton këto rezultate si një lloj frike të votuesve anglezë për të shmangur mundësinë që nacionalistët skocezë, të dilnin mirë në këto zgjedhje dhe më pas të krijonin koalicion me laburistët.

Rezultati përfundimtar i këtyre zgjedhjeve parashikohet të dalë të premten pasdite.

Qendrat zgjedhore, rreth 55 mijë në mbarë Britaninë, u hapën në orën 07:00, me orën lokale dhe qëndruan të hapura deri në orën 22:00.

Në këtë proces elektoral, rreth 50 milionë vetë me të drejtë vote do të zgjedhin në total 650 deputetë.

Lideri i UKIP, Nigel Farage, i cili mbante një trëndafil të kuq në kostumin e tij, votoi pak pas orës 07:30, në qendrën zgjedhore në Remsgejt.

Ndërkohë, disa votime janë realizuar përpara së enjtes përmes votimit me postë, që përbënte 15 për qind të elektoratit total në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010. Këtë vit, për herë të parë njerëzit janë regjistruar në votime online.

Përveç zgjedhjeve të përgjithshme janë edhe 9 mijë vende të këshillave lokalë që do të plotësohen. Kryetarët e bashkive do të zgjidhen gjithashtu në lokalitetet Bedford, Koplend, Leiçester, Mensfilld, Midëllsbrou dhe Torbej.

 

Top Channel