Shkup, vijon skandali i përgjimeve. Zaev: Qeveria ka fshehur detaje nga vdekja e gazetarit

08/05/2015 00:00

Lideri i partisë opozitare LSDM-së, Zoran Zaev, akuzoi policinë se ka
fshehur shumë detaje për vdekjen e gazetarit maqedonas, Nikolla
Mlladenov.

Zaev, në një konferencë për media prezantoi disa biseda të përgjuara telefonike midis ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe ndihmësit të saj, Ivo Kotevski, që sipas tij zbulojnë se procesi i hetimit për vdekjen e Mlladenovit është kryer në mënyrë joprofesionale.

Lideri social-demokrat shpalosi 10 arsye për të cilat, sipas tij, duhet të nxisin hetim të ri për shkakun e vërtetë të aksidentit, në të cilin humbi jetën gazetari kritik ndaj qeverisë së Gruevskit.

Zaev tha se policia ka gjetur gjurmë të një ngjyre tjetër nga ajo e makinës në pjesën e pasme të automjetit të gazetarit, por ky fakt është fshehur me urdhër të ministres së Brendshme.

“Janë të mëdha gjasat që, nëse makina e Mlladenovit është goditur nga në pjesën e pasme, siç është shënuar në fotografi, për shkak të shpejtësisë së lartë automjeti të jetë rrokullisur me pjesën e përparme nga ana e djathtë dhe ka dalë jashtë rrugës. Lëvizja e makinës së Mlladenovit dhe gjurmët nga ngjyra në pjesën e pasme të automjetit janë arsyeja e tetë dhe më e rëndësishme për hapjen e një hetimi të ri për vdekjen e Nikolla Mlladenovit”, ka deklaruar Zaev.

Lideri opozitar tha se pas publikimit të bisedave të përgjuara të zyrtarëve qeveritarë ngrihen shumë pikëpyetje për vdekjen e gazetarit Mlladenov.

Nikolla Mlladenov ndërroi jetë në mars të vitit 2013, në hyrje të Shkupit.

Prokuroria tha se gazetari i njohur humbi jetën në një aksident trafiku me makinën e tij që përfundoi jashtë autostradës nga shpejtësia e lartë.

Top Channel