Veliaj, dëgjesë me taksistët: Do të vendosim rregull në punën tuaj

08/05/2015 00:00

Dëgjesa e kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj me shoqatat e taksive ka nisur në orën 7 të mëngjesit. Veliaj tha se kryeqyteti prej kohësh po përballet me ilegalitetin, por
edhe me një amulli në transportin publik, që nuk do të zgjasë për
shumë kohë.

“Unë do ta ndryshoj Policinë Bashkiake, jo sepse janë të SHQUP-it, por sepse janë të paaftë. U është dhënë një listë me detyra, u është thënë të respektojnë vendparkimet e taksive. Pse bën pazar me jetën e tjetrit? Pse bën pazar me lekët e tjetrit? Pse bën korrupsion dhe ha në dy pjata? Pra, këtu do kemi një drejtues të Policisë Bashkiake, që nëse shoqata apo sindikata e taksive e raporton si të paaftë apo të korruptuar, ju garantoj se në 100 për qind të rasteve do ketë të drejtë sindikata dhe jo polici i bashkisë”, tha Veliaj.

Përfaqësuesit e taksive kërkuan të respektohen vendqëndrimet, të rishikohet mënyra e dhënies së licencave, si dhe të ndalohet lejimi i taksive ilegale.

“Propozimi im konkret është që, për çështjen e pozicioneve, rikonceptimin e gjithë pozicioneve dhe vendqëndrimeve në Tiranën e re sipas ndarjes së sotme, të krijojmë një ekip të përbashkët. Të vijnë dy ose tre propozime dhe të votojmë më të mirin. Është më mirë kur kjo bëhet në mënyrë demokratike, pavarësisht se kërkon pak më shumë kohë. Ky është një vendim që e kemi marrë bashkë dhe do t’i qëndrojmë”, tha Veliaj.

Veliaj shtoi se të gjitha problemet e shoqatës së taksistëve do të diskutohen në Këshillin Ekonomik që do të ngrihet në bashki, ku do të merren mendime konkrete për çdo problem. Tirana e madhe do të ketë një hartë të re të vendqëndrimeve dhe nuk do të ketë më monopole.

 

Top Channel