Në Sarandë, dhjetëra kultivues midhjesh, restorante që e gatuajnë dhe njësi tregtimi, janë duke përgatitur Festën e Midhjes, që do të çelet sot në mbrëmje.

Këtë vit, produkti do të promovohet së bashku me vajin e ullirit, një prej produkteve më cilësore të bregdetit jonian.

Panairi, sipas kreut të Bashkisë së Sarandës, Stefan Cipa, pritet të sjellë më shumë prodhues për të ekspozuar produktin e tyre, ndërsa interesi kombëtar dhe rajonal i lidhur me eventin është mjaft i lartë.

Si çdo vit, sfida më e madhe e produktit vijon të mbetet tregu europian dhe barrierat e vendosura për të. Midhja e liqenit të Butrintit prej vitesh po përballet me bllokadën e pamundësisë për eksport dhe promocionin e ulët në këtë drejtim.

Panairi i Midhjes pritet të shoqërohet gjithashtu edhe me aktivitete paralele, ku veçohet çelja e ekspozitës së kolonisë së piktorëve.

Përgjatë fundjavës nuk do të mungojnë organizimet e lojërave në ujë, si gara me kanoe apo biçikleta uji, si dhe demonstrime me “jet ski”.

 

Top Channel