Rama prezanton Sinajn në Berat: Qyteti do të jetë një destinacion turistik

08/05/2015 00:00

Kryeministri i vendit ka prezantuar kandidatin për kryetar bashkie në Berat, Petrit Sinaj. Me shumë optimizëm për transformimin që i është bërë këtij qyteti nga kryetari aktual, Rama është shprehur se këtë radhë edhe demokratët do të votojnë për drejtimin e duhur që ka marrë tanimë qyteti i trashëgimisë kulturore, duke theksuar se rruga e Beratit do të shndërrohet në një rrugë të vërtetë turistike, çka do ta bëjë bashkinë më të pasur në vend.

Ndërsa kandidati Sinaj tha se do të përmirësohet cilësia e shërbimeve edhe nëpër fshatra. “Në çdo fshat e lagje do ketë shërbime cilësore, sikurse po bëhen në këto 18 muaj. Ato që shohim në fasadat e qytetit duam t’i shohim edhe në periferitë e tij, por edhe në fshatra. Duam të ofrojmë shkolla, qendra shëndetësore, infrastrukturë, sistemin e ujitjes dhe cilësinë e farave për fidanët”, tha Sinaj.

Kryeministri Rama theksoi se demokratët ia kishin prerë rrugën e zhvillimit Beratit, ndërkohë që iu referua kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që sipas tij nuk do të mbahet mend për asgjë.

“S’kanë asnjë ide. Shalsi tha se, do mbahet mend gjatë në histori ai i Tiranës. Por ai nuk do mbahet mend fare. Sepse nuk bëri asgjë, zero”, tha Rama.

Rama i ftoi beratasit të votojnë kandidatin Sinaj, pasi me të gjithë mbështetjen e qeverisë, qytetit të trashëgimisë kulturore do t’i kthehet vëmendja e munguar prej vitesh me radhë.

“Është shumë e thjeshtë, ne kemi një kandidat që nuk është as i LSI-së e as i PS-së, por është kandidat i përbashkët dhe, mbi të gjitha, kemi një qeveri që është e vendosur t’i mbajë sytë të kthyer nga Berati për të shlyer një borxh të madh ndaj historisë, si dhe borxhin e madh ndaj socialistëve e progresistëve, që edhe pse në rrethim nga ai pushtet armiqësor në Tiranë, gjithmonë votën e çuan në drejtimin e duhur”, tha tha Rama.

Prezantohet kandidatja për Urën Vajgurore
Rama: Do të jetë partnerja për të çuar përpara ndryshimet

Në Qarkun e Beratit, kryeministri Edi Rama prezantoi edhe kandidaten për Bashkinë e Urës Vajgurore, Liljana Mema, për të cilën ai tha se do të jetë partnerja e duhur për të çuar përpara projektet e nisura këto 18 muaj qeverisjeje.

Tashmë, – tha Rama – për Urën Vajgurore, të cilës i jemi borxhli për mbështjen 20-vjeçare, është hapur një epokë e re, e cila duhet të vijojë në drejtimin e duhur.

Kandidatja Mema tha se “na pret një punë e madhe, prandaj duhet të jemi bashkë, larg ndasive, për të mirën e të gjithë komunitetit”.

Rama takon sipërmarrësit
Biznesmenët përshëndesin masat lehtësuese ndaj tyre

Ylli Aliaj, sipërmarrës në importin dhe paketimin e produkteve ushqimore, u shpreh i kënaqur me politikat fiskale të nxitjes së biznesit, gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin Rama në ambientet e fabrikës.

“Heqja e TVSH-së është një ndihmesë e madhe, se këtu ku jemi sot janë 2 milionë euro të investuara. Nëse marrim 20%-shin e TVSH-së, janë 400 mijë euro që më mbeten dhe që më japin frymëmarrje për biznesin. Një tjetër përfitim nga qeveria ka ardhur edhe përmes Fondit të Nxitjes së Punësimit. Me kapacitetin e shtuar të fabrikës pas këtij investimi, deri në 600 tonë vaj në muaj, synoj të rris edhe numrin e punonjësve. Në muajin Qershor mund të punësoj edhe 30 persona të tjerë nga Zyra e Punësimit. Ne kemi kualifikuar edhe stafin, ndërsa rrogat në fabrikë janë nga 30 mijë deri në 120 mijë lekë”, tha Ylli Aliaj, biznesmen.

Nga ky biznes në Urën Vajgurore, kryeministri Rama lajmëroi një nismë të re nga qeveria në mbështetje të agrobiznesit.

“Fondin e mbështetjes së prodhuesve dhe agropërpunuesve nga AZHBR do ta disafishojmë në vit. Nëse sot ne kemi një shumë, që nuk iu përgjigjet financiarisht të gjitha kërkesave që kemi nga prodhuesit, agropërpunuesit apo sipërmarrësit që duan të futen në ciklin e prodhimit, besojmë që me këtë formulë dhe me mbështetjen e bankave, duke marrë shteti përsipër garancitë dhe interesat, të sigurojmë që formula e sotme e AZHBR të jetë disafish e financueshme. Synimi ynë është që ta çojmë financimin për mbështetjen direkte të prodhuesve dhe agropërpunuesve në fshat në 40 deri në 70 milionë euro në vit, në 4 vitet që vijnë, që do të jetë një bum i madh”, tha Rama.

Top Channel