Dita e Europës, Meta: Të shmangim tensionet, zgjedhjet me standarde

08/05/2015 00:00

Zgjedhjet e 21 Qershorit duhet të demonstrojnë standard më të lartë nga çdo proces i së kaluarës dhe më afër atyre të vendeve të Bashkimit Europian.

Ka qenë ky apeli i Ilir Metës në cilësinë e kryetarit të Kuvendit për çdo forcë politike dhe qytetarët shqiptarë. Duke marrë shkas nga disa incidente në këtë fazë kur ende nuk ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, Ilir Meta gjeti rastin që ajo të orientohet nga shpalosja e platformave të partive dhe kandidatëve.

“Të distancohemi nga çdo akt, që synon të tensionojë në mënyrë artificiale zgjedhjet dhe të cenojë standardin e tyre, sepse i kemi të gjitha mundësitë për të realizuar një proces të mrekullueshëm zgjedhor dhe demokratik dhe t’u japim mundësinë qytetarëve të dëgjojnë alternativat për të ardhmen e komuniteteve të tyre”, deklaroi Meta.

Mesazhi i Metës u adresua në aktivitetin e Ministrisë së Integrimit për Javën e Europës, ku si në çdo rast të tillë, ajo që është më e natyrshme është bilanci i ecurisë së vendit në destinacionin e BE-së. 

Si një vend kandidat që ende nuk kemi hapur negociatat, kryereforma për Ilir Metën është ajo në drejtësi, që është një provë e madhe për rrugën integruese.

Në këtë proces, Meta nuk shmangu përgjegjësinë e institucionit që drejton kur u shpreh i vetëdijshëm për një retorikë konfliktuale në Kuvend që devijon vëmendjen nga reformat dhe nevojën për një Parlament më dinjitoz.

Ndërsa ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vllahutin shmangu mesazhet politike dhe në aktivitetin “Unë jam europian” vendosi t’u drejtohet të rinjve.

“Unë kam një mesazh shumë të thjeshtë për ju! Ju lutem mësoni sa më shumë! Jini kureshtarë! Ju jeni motori kryesor i integrimit të Shqipërisë”- tha Vlahutin.

Top Channel