Gjykata e Lartë ndryshon në “arrest shtëpie” masën e sigurisë për Durim Bamin

08/05/2015 00:00

I arrestuar dy muaj më parë sipas dyshimeve se mund të ishte ai njeriu i ndërmjetësuar për të vrarë deputetin Tom Doshi, 36-vjeçari Durim Bami la paraburgimin me vendim gjyqësor, për t’u kthyer në banesë, si personazh i një historie që edhe vetë ai e deklaroi si trillim.

E njëjta gjykatë që kishte vendosur masën “arrest me burg” për të njëjtin episod, shpalli “arrestin shtëpiak” për Bamin me argumentin se nuk ekziston rrezikshmëria e tij dhe as e veprës për të cilën dyshohet që ka lidhje me krijimin e provave false, për sa kohë shfaqet në një video që prokuroria e pretendon të sajuar.

“Ishte një vendim shumë i vonuar, kjo masë duhet të ishte dhënë që më parë”, u shpreh avokati i Bamit, Ilir Murati. 

Për historinë që trazoi opinionin publik dhe jo vetëm, janë me masë gjyqësore deputeti Tom Doshi, i detyruar që të paraqitet çdo fillim jave në prokurori.

Po kështu, i akuzuar për kallëzim të rremë është edhe deputeti Mark Frroku, i cili po mbahet nën “arrest me burg” për një ngjarje të ndodhur në Belgjikë.

Prokuroria ka si provë videon “Bami-Doshi” në të cilën flitet për një skenar vrasjeje në dëm të Doshit, ndërkohë që avokatët do të hapin kartat në gjykatë, pasi sipas tyre, kjo video nuk mund të konisderohet provë, përsa kohë nuk ka një procedim penal të regjistruar, çka në pikëpamjet e tyre e kthen nul çështjen hetimore.

 

Top Channel