Deklarata në Kuvend, Bazhdari padit Berishën për shpifje

08/05/2012 00:00

“Pasuria e saj është me tytë të revoles, edhe ndaj kujt? Kujt ia mori Keti pasurinë? Si na lindi dhe u bë Keti pasanike e madhe, e bija e një të përndjekuri? Pikërisht ndaj të dashurit të vetë që e kishte me depresion”, deklaronte dje në Kuvend ish-kryeministri Berisha.

Për këtë deklarim, kandidatja e majtë për Bashkinë e Shkodrës paditi penalisht ish-kryeministrin Berisha për shpifje. Padia është dorëzuar nga avokatët e kandidates në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa në Gjykatën e Tiranës është dorëzuar një padi civile për shlyerje dëmi.

Ish-kryeministri Berisha, një ditë më parë në Kuvend akuzoi Bazhdarin se ishte pasuruar, duke i marrë pasurinë nën kërcënim dikujt tjetër.

Frazën e plotë të deklaratës, që Bazhdari e cilëson shpifje, ajo e ka dorëzuar nëpërmjet avokatëve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në gjykatë, ndërsa thekson se kjo deklaratë është kryer me dashje, drejtpërdrejt dhe me qëllim për ta diskredituar në opinionin shoqëror nderin dhe dinjitetin e personalitetit të saj, me qëllim për të influencuar në mënyrë të paligjshme në elektoratin e Bashkisë Shkodër, për zgjedhjet vendore të datës 21 Qershor 2015.

Bazhdari shkruan se është e bindur në verdiktin e drejtë dhe të ndershëm të organeve të drejtësisë dhe pret me padurim, që deputeti Sali Berisha të shpallet publikisht shpifës nga Gjyqësori. Ajo shton se çdo qindarkë, që do të marrë si dëmshpërblim nga Berisha, prej procesit civil kundër këtij të fundit, do t’ia dhurojë shkollës “Iliria”, me qëllim dhe destinacion përmirësimin e kushteve të komunitetit egjiptian.

Në padinë penale, Bazhdari kërkon fillimin e procedimit penal për Berishën, në bazë të nenit 120 të Kodit Penal. Ndërsa në padinë civile, të depozituar në Gjykatën e Tiranës, Bazhdari kërkon që të dëmshpërblehet me shumën e 4 milionë lekëve nga deputeti Berisha.

Top Channel