Prokuroria: Gjyqtari Hasa dhe prokurori Asllani, deklarime të rreme për pasuritë

08/05/2015 00:00

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit, gjykata ka vendosur pezullimin nga detyra për gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Qani Hasa dhe për prokurorin e Elbasanit, Pertef Asllani.

Sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, Hasa dhe Asllani akuzohen për veprën penale të “fshehjes, mosdeklarimit dhe deklarimit të rremë të pasurisë”.
 
Deri në fazën aktuale të hetimit, të nisur një muaj më parë pas kallëzimit të Inspektoriatit të lartë të Deklarimit të pasurive, gjyqtarit dhe prokurorit me detyrë në të njëjtin rreth, u është komunikuar akuza dhe janë duke përfunduar hetimet.
 
“Nga hetimi ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Hasa dhe Asllani kanë paraqitur deklarime të rreme në formularin e deklarimit të pasurisë lidhur me aktin e shitjes së një apartamenti, i cili ishte në pronësi të shtetasit Pertef Asllani dhe që, nëpërmjet një kredie të butë nga Enti i Banesave në Elbasan, i është shitur shtetasit Qani Hasa.
 
Nga hetimi rezulton se shtetasi Qani Hasa, me funksion ‘gjyqtar’, ka përfituar një kredi të butë nga Enti i Banesave për blerje apartamenti në qytetin e Elbasanit, pasi sipas legjislacionit në fuqi, i takonte për shkak se ushtronte funksionin në një qytet larg vendbanimit të tij të përhershëm (Tiranë).
 
Dhe, sipas dokumentacionit të administruar, rezulton se ai ka bërë kontratë shitjeje me shtetasin Pertef Asllani, me funksion ‘prokuror’. Për këto lëvizje financiare, duke qenë se të dy shtetasit janë subjekte të deklarimit të pasurisë, kanë paraqitur në formularët e pasurisë pranë ILDKP-së ndryshimet përkatëse; pra, shtetasi Qani Hasa deklaron se ka blerë shtëpinë e shtetasit Pertef Asllani, ndërsa ky i fundit deklaron në formular se ka marrë shumën prej 3.3 milionë lekë për shitjen e apartamentit.
 
Por, nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës rezultoi se, shtetasi Qani Hasa, pavarësisht se ka deklaruar blerjen e apartmentit të shtetasit Pertef Asllani, në realitet ka blerë një apartament në Tiranë. ndërkohë, shtetasi Pertef Asllani, pavarësisht se ka deklaruar se ka marrë shumën e parave nga Qani Hasa, të cilat edhe i ka deklaruar, në fakt nuk i ka marrë këto para nga Qani Hasa, por ka jetuar në atë apartament që prej vitit 2003, kur shtetasi Hasa ka deklaruar që e ka blerë, deri në vitin 2013, kur këtë apartament ia ka shitur një shtetasi tjetër.
 
Po ashtu, rezulton se shtetasi Qani Hasa nuk ka deklaruar në formularin e pasurisë për vitin 2013 shumën prej 2 milionë lekë. Këtë shumë ai e ka deklaruar në vitin 2014, ndërkohë që në cilësinë e subjektit të ligjit ‘për deklarimin e pasurive’ ka pasur detyrimin ligjor që ta deklaronte që një vit më parë.
 
ILDKP, në kallëzimin e saj, kërkonte ndjekjen penale për gjyqtarin Qani Hasa, edhe për veprën penale të ‘korrupsionit aktiv…’, pasi, sipas materialit referues, ai ka tentuar t’i ofrojë para një zyrtari të ILDKP-së për të mos vijuar me penalitetet që parashikon ligji për shkak të shkeljeve të tij.
 
Nga ana e Prokurorisë Tiranë janë marrë deklarimet e zyrtarit të ILDKP-së, i cili ka deklaruar se shtetasi Qani Hasa ka tentuar t’i ofrojë një shumë parash (të papërcaktuar) në ashensorin e godinës së institucionit. Ndërsa, i pyetur lidhur me këtë fakt, shtetasi Qani Hasa ka deklaruar në Prokurori se nuk i ka ofruar para zyrtarit të ILDKP, por vetëm numrat e kontaktit, ku mund të kontaktohej për problematikat e kontrollit që po kryente institucioni.
 
Duke qenë se ambjenti ku mendohet se ka ndodhur kjo ngjarje është i pamonitoruar nga kamera, si edhe në pamundësi për të përftuar të dhëna të tjera të plota dhe të pakundërshtueshme që të mbështesin deklarimin e zyrtarit të ILDKP, dyshimi për veprën penale të “korrupsioni aktiv….” mbetet i paprovuar”, ka shpjeguar Prokuroria e Përgjithshme dinamikën e rastit për gjyqtarin Hasa dhe prokuroria Asllani.

Top Channel