Veshkat artificiale, shkencëtari ndërmerr hapa madhorë

08/05/2015 00:00

Veshkat janë organi që transplantohet më tepër, por ato mungojnë. Gjithsesi, edhe organet e tjera janë të paktë. Prandaj, në mbarë botën po bëhen studime, se si organe të tilla mund të prodhohen artificialisht.

Për shembull, në “Harvard Medical School”, austriaku Harald Ott po tërheq tashmë vëmendjen shkencore prej rreth 7 vitesh. Në laboratorin e tij, ai krijoi fillimisht zemra minjsh në një bioreaktor dhe dy vjet më vonë arriti të prodhonte edhe një mëlçi artificiale. Këto organe ai i ka transplantuar te minjtë.

Para dy vjetësh, Harald Ott arriti një tjetër sukses, krijimin e një veshke artificiale. Edhe në rastin e veshkave, si kafshë eksperimentale shërbyen përsëri minjtë. Veshka artificiale që krijoi Harald Ott paraqiti funksione normale të veshkave dhe, madje, ishte e aftë të nxirrte edhe urinë. Por, organi artificial nuk ishte në gjendje të punonte plotësisht.

Në laborator, veshka artificiale arriti një rendiment funksional prej rreth 20 për qind, kurse pas transplantimit, funksionimi luhatej mes 5 dhe 10 për qind. Edhe pse veshka artificiale nuk punon me aftësi të plotë, ajo konsiderohet nga shumë shkencëtarë si një hap i parë në drejtimin e duhur.

Deri tani janë bërë eksperimente me qelizat burimore njerëzore për zemra dhe mushkëri. E njëjta gjë pritet të bëhet tani me veshkat. Meqë, mesa duket, trupi nuk e refuzon implantimin e qelizave, pacientët nuk do të kenë nevojë të marrin gjithë jetën ilaçe, që jepen në rastin e një transplantimi normal. Por, këto të ashtuquajtur imunosupresivë e ulin edhe sistemin imunitar dhe i bëjnë marrësit e organeve në këtë mënyrë të ndjeshëm ndaj infeksioneve.

 

Top Channel