Mjedisi, ndihmë gjermane për pyllëzimin dhe frenimin e erozionit

08/05/2015 00:00

Shqipëria dhe Gjermania do të fillojnë një bashkëpunim konkret në çeshtjet më të ndjeshme të mjedisit, siç është ajo e pyllëzimit dhe zbutjes së shkallës së erozionit.

Pas bisedimeve paraprake mes dy ministrave të Mjedisit, të Shqipërisë dhe Gjermanisë, u ra dakord që ekspertët e të dy dikastereve të nisin punën për detajimin e bashkëpunimit.

Gjatë vizitës në Berlin, ministri i Mjedisit, Lefter Koka bisedoi me homologen e tij, Barbara Hendricks, si dhe me anëtarë të Komisionit për Mjedisin në Parlamentin gjerman.

Ministri Koka u shpreh se, qeveria shqiptare arriti brenda 18 muajve të vendosë mjedisin në qendër të opinionit publik, dhe është e përkushtuar për të bërë punë të mëtejshme, për të siguruar standarde më të mira jetese për qytetarët shqiptarë.

Ministrja Hendricks siguroi ministrin Koka për gatishmërinë e qeverisë gjermane për të ndihmuar Shqipërinë në çështjet më prioritare të mjedisit.

Gjatë takimit, palët identifikuan fushat e bashkëpunimit midis dy vendeve, duke u fokusuar në pyllëzimin dhe luftën kundër erozionit, por edhe në binjakëzime në kuadër të programeve të BE-së.

Top Channel