Halim Kosova dhuron gjak në ditën e talasemikëve. “Bashkia kërkon përkushtim dhe sakrifica”

08/05/2015 00:00

Halim Kosova u tregua dy herë i sinqertë brenda pak minutave, kur dhuroi gjak në Ditën Ndërkombëtare të Talasemisë.

E para, se po të mos ishte në fushatë, nuk do ta kishte bërë publik këtë gjest dhurimi, por tani është i detyruar për shkak se, duke qenë në qendër të vëmendjes, mund të ndihmojë fëmijët që mbahen në jetë nga dhurimi gjakut. Momenti i dytë i sinqeritetit ishte kur ai tha pse nuk ka dhuruar më parë gjak.

“Kjo është hera e parë që dhuroj gjak, sepse në profesionin tim, gjatë gjithë jetës, më ka shkuar shumë herë gjatë ditës gjaku në fund të këmbëve”, tha Kosova.

Qëkur u shpall kandidat i opozitës për Tiranën, Halim Kosova ka zgjedhur të replikojë shumë rrallë me kundërshtarin politik. Edhe këtë herë, i pyetur nga gazetarët, ai shmangu një gjuhë konfiktuale dhe foli për cilësitë e veta, duke lënë të kuptohet se ato i mungojnë rivalit Veliaj.

“Për të drejtuar një qytet nuk mjaftojnë vetëm idetë, duhet ndërgjegjia dhe përgjegjshmëria, duhet përkushtimi, duhet ajo çfarë ke bërë t’i për njerëzit. Duhen shumë sakrifica që të arrish të dalësh në rrugë dhe të kesh këtë mirënjohje që konstatoj rreth meje. Kjo është shumë e rëndësishme. Këtë nuk ta jep as partia, as fushata, as parrullat, as numri i flamujve në shesh, as luksi i zyrave. Këtë ta jep vetëm puna personale, përgjegjësia dhe shërbimi për banorët, për qytetarët në Tiranë e kudo”, tha Kosova.

Me sens humori, Halim Kosova u përball edhe me cilësimin e zakonshëm që i vjen prej kryeministrit Rama. “I siguroj se kushdo ta marrë gjakun, nuk do ta ndjejë veten të lodhur”, tha ai.

Në programin për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, Halim Kosova pritet t’u kushtojë rëndësi të rinjve dhe studentëve, me të cilët pati një bashkëbisedim të gjatë.

Papunësia është problemi kryesor për rininë dhe, sipas idesë së Halim Kosovës, bashkia duhet të jetë një rregullatore mes të rinjve që kërkojnë punë dhe bizneseve në territorin e bashkisë, si dhe të financojë me grante idetë e të rinjve që gjenerojnë punësim. Të rinjtë kërkuan edhe një alternativë për strehimin.

“Pa diskutim që kjo lidhet me punësimin dhe punësimi është kryefjala e çdo iniciative që bashkia do të marrë për rininë. Në një qytet ku biznesit i janë ngurosur 8000 apartamente që nuk i shiten dhe Tirana ka kaq shumë nevoja për punësim, unë jam duke vrarë mendjen, po brenda kuadrit ligjor, se si këto apartamente t’i ofrohen qytetarit nëpërmjet bankës me kredi shumë të ulët”, tha Kosova.

Mjeku i njohur është 61 vjeç dhe kur u pyet nga të rinjtë për thinjat e moshës së tij, që ia përmend kryeministri Rama, ai, pa ia përmendur emrin bëri një krahasim mes punës të të dyve.

“Ajo që unë mendoj është kjo: të të thinjen ose të të bien duke ndihmuar tjetrin, apo të të bien ose thinjen se si ta shkatërrosh tjetrin, t’ia groposësh të ardhurat e tij, t’i groposësh shpresën, ta rrjepësh përditë… Eshtë një diferencë shumë e madhe. Unë e them me plot gojën dhe i dal çdo njeriu përballë që thinjat e mia janë devotshmëri, janë përkushtim për pacientin, janë 24 orë në shërbim të tij, ashtu sikurse nesër jap zotimin tim se do të jem 24 orë në shërbimin tuaj”, tha Kosova.

 

Top Channel