Humbja në zgjedhje, Miliband jep dorëheqjen

08/05/2015 00:00

Ed Miliband nuk është më lider i Partisë Laburistë. Ish-kryetari ka dhënë dorëheqje duke marrë përgjegjësitë e humbjes. Partia e Miliband dështimin më të madh e pati në Skoci, duke humbur edhe përballë SNP-së.

“Ndjej keqardhje për këtë humbje. Kam dhënë më të mirën nga vetja në këto pesë vite. Kjo parti është ringritur edhe herë të tjera, e do dijë të ringrihet sërish. Britanikët kanë nevojë për një Parti Laburiste të fortë dhe kjo parti ka nevojë për reforma të brendshme. Është koha që dikush tjetër të jetë në krye të kësaj partie, prandaj po jap dorëheqjen. Në parti ka nevojë që të ketë një debat të shëndoshë dhe të gjendet rruga e drejtë për t’u rikthyer aty ku na takon”, u shpreh Miliband.

Partinë përkohësisht do ta drejtojë Harriet Harman deri në zgjedhjen e liderit të ri. Ndërkohë që Miliband u ka kërkuar falje edhe anëtarëve të partisë së tij në Skoci. “Ka qenë një natë shumë zhgënjyese për gjithë ne. Dua t’u kërkoj falje gjithë bashkëpartiakëve, të cilët kanë humbur vendin e tyre në Parlament, jam unë ai që duhet të mbajë përgjegjësi”, deklaroi ish-lideri i laburistëve.  

Pasi ka njoftuar që ka uruar David Cameron, Miliband ka thënë se pret nga qeveria e re të punojë për të mbajtur vendin të bashkuar. “Qeveria e ardhshme ka përgjegjësinë e madhe të mbajë vendin të bashkuar. Unë besoj fuqishëm se të bashkuar jemi më të fortë, vendi është më i rëndësishëm se pikat që na ndajnë ne si parti”, ka vazhduar Miliband.

Dorëheqje ka dhënë edhe liberal-demokrati, Nick Clegg, partia e të cilit siguroi vetëm 8 vende, nga 57 që kishte mandatin e kaluar. “Ka qenë një natë e zezë për partinë tonë, por nuk do të lejojmë që vlerat e liberal-demokratëve të shuhen brenda një nate”, u shpreh Clegg.

Po ashtu, lideri i UKIP, Nigel Farage ka paraqitur dorëheqjen e tij, ndërsa ka lënë mundësinë e hapur që një ditë të rikthehet sërish si lider. UKIP humbi përballë konservatorëve edhe në disa zona që konsideroheshin si bastione të tyre.

 

Top Channel