Kosovë, Kuvendi pa kuorum për rekomandimet e energjisë elektrike

08/05/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës ka diskutuar disa orë peticionin e qytetarëve kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike, por në fund nuk pati kuorum të mjaftueshëm për të votuar rekomandimet e peticionit.

Edhe pse në sallë ishin 65 deputetë, në votim morën pjesë vetëm 46, nga të cilët 42 votuan pro, ndërsa 4 abstenuan.

Kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti bëri të ditur se, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që një votim në Kuvend të konsiderohet i plotfuqishëm, për të duhet të votojnë së paku 61 deputetë.

Në debatin që u zhvillua, deputetët e koalicionit qeveritar dhe ata të opozitës patën kundërshtime rreth rekomandimeve të peticionit për çmimin e energjisë.

“ZRRE-ja, në afat prej një muaji nga dita e miratimit të këtij rekomandimi, t’i paraqesë Kuvendit të Kosovës një raport të veçantë për të gjitha çështjet e ngritura në peticion, lidhur me dy rritjet e fundit të çmimit të energjisë elektrike, duke përfshirë edhe analizën e detajuar të çmimeve. Qeveria, në afat sa më të shpejtë, të procedojë në Kuvend projektligjin për ndryshimin e plotësimin e ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe të propozohet zbritja e TVSH-së në konsumin e energjisë elektrike, nga 16 për qind në 8 për qind. Qeveria të rishikojë listën e përfituesve të kategorive sociale dhe të identifikohen përfituesit që kanë ndryshuar status financiar, në mënyrë që të bëhet rishpërndarja e mjeteve buxhetore në emër të pagesës së energjisë elektrike, për familjet që kanë ende nevojë. Të mos bëhet asnjë rritje e re e çmimit të energjisë elektrike, deri në rishikimin e buxhetit të Kosovës për vitin 2015”, tha Lirije Kajtazi, kryetare e Komisionit për Peticione.

“Këto që po diskutojmë sot, nuk janë nga peticioni i qytetarëve, por janë disa rekomandime të komisionit, apo siç u tha këtu, të harmonizuara edhe me Komisionin për Buxhet dhe Financa. Janë në mospërputhje të plotë me atë që kanë kërkuar qytetarët. Nga parafolësit u dëgjuan disa rekomandime, që janë të Komisionit, por që s’kanë të bëjnë fare me kërkesat e qytetarëve, as me peticionin e tyre. Dhe si rekomandime, duhet ta them, në masë të madhe janë edhe të pakuptimta”, tha Visar Ymeri, deputet i Vetëvendosjes.

Pavarësisht rezultatit të votimit në Kuvend, kryeministri Isa Mustafa, i cili ishte i pranishëm në seancë, konfirmoi gatishmërinë për t’u marrë me çmimin e energjisë.

“Konsideroj se, si qeveri duhet të angazhohemi, përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Komisionit parlamentar, ZRRE-së dhe së bashku ta shqyrtojmë problemin e energjisë. Ka nevojë të shihet struktura e çmimit. Cili është çmimi i prodhuesit KEK dhe cili duhet të jetë çmimi, që duhet të paguajnë shfrytëzuesit e energjisë elektrike dhe se, mbi çfarë baze vendos Zyra e Rregullatorit për kërkesat e KEDS-it e mbi kërkesat e KEK-ut, sepse edhe aty nuk kemi mënyrë të njëjtë trajtimi të këtyre çështjeve, sidomos për ngritjen e çmimit”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Për çmimin e energjisë ka folur në Kuvend edhe Avdullah Hoti, i cili paralajmëroi se me ligjin e ri për Tatimin e Vlerës së Shtuar, parashihet që tatimi për energjinë të përgjysmohet krahasuar me aktualin.

Top Channel