12 gjëra që nuk dinit për Luftën e Dytë Botërore

08/05/2015 00:00

E Martë, 8 Maj 1945. Bota merr frymë më lirshëm. E keqja ishte mposhtur, kishte kapitulluar pas thuajse 6 vitesh lufte të përgjakshme, që u mori jetën miliona njerëzve dhe preku gjithë planetin, në ajër, tokë e det.

Fundi i Luftës së Dytë Botërore u prit me festime të përligjura në vendet e prekura në konflikt. Europa doli e shkatërruar nga lufta më e përgjakshme e historisë së saj dhe 8 Maji ishte pika e kthesës, pika që vendosi paqen dhe gurthemeli i parë drejt një Europe të Bashkuar.

Për këtë luftë janë shkruar libra, krijuar filma e dokumentarë me fatin tragjik të shumicës dhe fund të lumtur për disa. Por jo të gjitha janë thënë.

Më poshtë po radhisim 12 gjëra që (ndoshta) nuk i dinit për Luftën e Dytë Botërore.

1. Si fillim, teknikisht lufta vazhdon ende, të paktën mes dy vendeve më protagoniste të saj, Japonisë dhe Rusisë. Tokio dhe Moska nuk kanë nënshkruar ende një pakt pushim zjarri dhe shkak për këtë janë mosmarrëveshjet mbi sovranitetin e ishujve Kuril.

2. Fanta lindi gjatë luftës. Gjatë luftës gjermanët e kishin të vështirë të gjenin një Coca-Cola, për shkak të embargos tregtare. Dega e kompanisë Coca-Cola në Gjermani krijoi një pije të re, me më shumë përbërës. Grupi që punoi për lindjen e kësaj pijeje u urdhërua që të përdorte “Fanta-zinë”.

3. Gjatë luftës, agjentët britanikë u përpoqën të hidhnin hormone femërore në ushqimet e Hitlerit, duke menduar se kështu do ta “zbusnin” atë. Plani ishte të hidhej estrogjen, që diktatori të ishte më pak agresiv, pak a shumë si e motra e tij e vogël, Paula, që punonte sekretare. Profesori Brian Ford shkruan për këtë në librin e tij “Armët sekrete: teknologjia, shkenca dhe gara për të fituar Luftën e Dytë Botërore”.

4. Bomba e parë naziste e hedhur në Britaninë e Madhe vrau një lepur. Ky është citimi i një dëshmitari nga arkivat në Londër.

5. Amerikanët dhe gjermanët kanë luftuar në krah të njëri-tjetrit për një rast, kundër famëkeqëve “SS”. Më 5 Maj 1945, forcat amerikane çliruan kështjellën Itter në Austri. Kjo kështjellë përdorej si burg për personazhe të njohur francezë, përfshirë këtu dy ish-kryeministrat, Paul Reynaud dhe Eduard Daladier. Kur trupat “SS” u përpoqën të rimarrin nën kontroll këtë fortesë, ushtarët amerikanë më të paktë në numër, u ndihmuan nga ushtarët gjermanë të Wehrmacht, por edhe nga gratë dhe të dashurat e të burgosurve VIP francezë.

6. Bodrumet e Xhamisë së Madhe të Parisit shërbyen si strehë për qindra hebrenj gjatë viteve të luftës. Hebrenjtë u mbajtën të sigurtë prej imamit të xhamisë, që një kat më lart bënte cicëronin për gjeneralët dhe udhëheqësit e lartë ushtarakë gjermanë. Hebrenjtë ndryshuan identitet dhe humbën gjurmë, duke u pajisur me dokumente si myslimanë. Kjo histori rrëfehet edhe në filmin francez “Njerëz të lirë”.

7. Nipi i Hitlerit luftoi për trupat aleate. Willy Hitler, djali i Alois, gjysmë-vëllai i diktatorit, lindi në Liverpul. Më vonë emigroi drejt Shteteve të Bashkuara dhe në vitin 1944 iu bashkua forcave detare të SHBA si farmacist dhe mjek.

8. Kur Parisi ra, francezët këputën kabllot e ashensorit të kullës Eiffel, në mënyrë që nazistët të paktën të mundoheshin për të ngritur flamurin me kryqin e thyer (svastikën) në majën e saj. Në mungesë të ashensorit, Hitleri gjatë vizitës në Paris, përtoi të ngjiste shkallët dhe qëndroi në shesh.

9. Gjatë viteve të luftës, trofetë e çmimeve Oscar ishin prej plastike të ngjyrosur. Para luftës, këto statuja ndërtoheshin duke përdorur arin, argjendin dhe metale të tjera të çmueshme, por për shkak të shkurtimeve, u zgjodh kjo mënyrë. Gjithsesi, me përfundimin e luftës, organizatorët ftuan të gjithë fituesit që kishin në shtëpi ‘plastika të arta” t’i rikthenin ato në këmbim të statujave prej ari.

10. Plani i Hitlerit për Moskën ishte shndërrimi i saj në një liqen gjigant artificial. 4.2 milionë banorët që jetonin në atë kohë në kryeqytetin rus, do të shfaroseshin përmes hapjes së digave që mbanin lumin Vollga.

11. Agjenti i dyfishtë, spanjolli Joan Pujol Garcia, është i vetmi i nderuar me medaljet më të larta si nga britanikët, ashtu edhe nga nazistët. Në fakt, ai ishte një spiun britanik, por e kreu aq mirë detyrën e tij, sa mashtroi edhe gjermanët që i dhanë medalje, që zakonisht u rezervoheshin ushtarëve me kontribute në vijën e parë.

12. Hamburger, si fjalë, tingëllon shumë gjermane dhe për t’iu shmangur kësaj fjale në vitet e luftës, restorantet amerikane e zëvendësuan me emrin “Mishi i lirisë”.

 

Top Channel