Aksidenti në lumin Kir, lokalizohet trupi i turistit 22-vjeçar. Vajza shpëton me lëndime të lehta

08/05/2015 00:00

Një turist çek dyshohet të jetë mbytur aksidentalisht mesditën e së premtes në lumin Kir të Dukagjinit.

Sipas informacionit paraprak të policisë, mësohet se varka me të cilën lundronte çifti i bashkëshortëve nga Çekia është përmbysur nga rrjedhja e fortë e lumit, në vendin e quajtur “Ura e Shtrenjtë”.

Deri më tani, raportohet se polumbarët e kanë gjetur vendin ku ka mbetur trupi i pajetë i turistit çek, i ngecur nën një shkëmb, por ata kanë rrezikuar edhe jetët e tyre gjatë tentativave të nxjerrjes së tij.

Viktima mësohet të jetë rreth 22 vjeç, ndërsa policia dhe polumbarët e RENEA-s ende po vijojnë përpjekjet për nxjerrjen e trupit. Fatmirësisht, vajza ka shpëtuar, edhe pse ka marrë disa dëmtime të lehta.

Dy turistët kanë qenë duke bërë rafting në rrjedhën e lumit Kir, por në këtë sezon të vitit, ky lumë shquhet për prurje të forta dhe të rrezikshme për shkak të shkrirjes së borës në male.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Raftingut, përmes një deklarate për mediet ka njoftuar se zbritja e turistëve çekë në lumin Kir është bërë pa shoqërimin e guidave profesionale dhe te licencuara nga shteti shqiptar.

Kjo federatë ka shprehur keqardhjen për aksidentin, por ka apelur organet shtetërore që të marrin masa ndaj personave fizik dhe juridik, të palicencuar nga kjo federatë, që organizojnë këto aktivitete sportive-turisitike.

Top Channel