SHBA, kryeprokurorja Lynch nis hetimin federal për ngjarjet në Baltimore

08/05/2015 00:00

Departamenti amerikan i Drejtësisë do të nisë një hetim federal për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj Departamentit të Policisë së Baltimores. Këtë e ka bërë të ditur kryeprokurorja amerikane, Loretta Lynch, këtë të premte, vetëm pak kohë pas emërimit zyrtar të saj në këtë post.

Hetimi, i cili vjen pas ndjekjeve penale ndaj 6 oficerëve të policisë, të dyshuar si shkaktarë të vdekjes së Freddie Gray, do të hulumtojë për të gjetur të dhëna, nëse departamenti i policisë ka ndërmarrë “praktika apo modele” të sjelljeve antikushtetuese.

“Ngjarjet e fundit, përfshi edhe vdekjen tragjike në paraburgim të Freddie Gray, po shtojnë gjithnjë e më shumë ‘erozionin’ e besimit të publikut”, tha Lynch gjatë një konference për shtyp në Uashington.

Kryebashkiakja e Baltimores, Stephanie Rawlings-Blake, bëri një kërkesë publiku për hetime në fillim të kësaj jave. “Duhet të vendosim drejtësi. Dështimi nuk është një mundësi për këtë ngjarje”, tha ajo.

Hetime të ngjashme në disa qytete të tjera amerikane kanë rezultuar në hartimin e një serie reformash nga qeveria amerikane përkundrejt politikave policore, të cilat duhen bërë me patjetër nën kërcënimin e një padie federale.

Protestat dhe trazirat e nxitura pas vdekjes së 25-vjeçarit Gray, më 19 Prill, kërkuan edhe ndërhyrjen e Gardës Kombëtare. Qafa e të riut me ngjyrë ishte thyer gjatë një udhëtimi me një mjet transportues të policisë pas prangosjes në duar dhe këmbë.

Prokurorët kanë thënë se arrestimi i tij ishte i jashtëligjshëm dhe ai kishte ndërruar jetë pasi oficerët dështuan t’i vinin atij rripin e sigurisë në mjetin transportues. Ndaj drejtuesit të mjetit është ngritur akuza për vrasje, ndërsa 5 oficerë të tjerë përballen me një seri akuzash të tjera.

Top Channel