Ngrihen aktakuza për korrupsion ndaj 14 zyrtarëve të Obiliqit

08/05/2015 00:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur këtë të premte një aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi, 8 zyrtarëve komunalë dhe disa biznesmenëve po nga kjo komunë.

Aktakuza i ngarkon të dyshuarit për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “mashtrim në detyrë”.

Në komunikatën e Prokurorisë Speciale, 14 të akuzuarit jepen vetëm me iniciale: M.K., XH.K., H.R., E.S., S.K., N.G., R.H., B.P., B.A., SH.K., B.K., H.D., A.S., A.P.

Të akuzuarit dyshohen se, gjatë zbatimit të një kontrate për rregullimin e rrugëve në Komunën e Obiliqit, kanë bashkëvepruar dhe kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, duke mos realizuar punimet në rrugë sipas kontratës.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale, e cila i ka propozuar gjykatës që, pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit t’i shpallë fajtorë, për veprat penale që akuzohen, dhe t’i gjykojë sipas ligjit.

Top Channel