Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia do të marrë në konsideratë mundësinë për të ndryshuar preambulën e kushtetutës së vendit, ajo që flet për “Kosovën si pjesë integrale e territorit të Serbisë”.

Në një intervistë të gjatë për “Wall Street Journal”, Vuçiç paralajmëroi se kjo mund të ndodhë brenda vitit 2017, ndërsa shtoi se fjala përfundimtare për këtë do t’i takojë popullit serb përmes referendumit.

“Duhet të shtrojmë për bisedime gjithçka me partnerët tanë të Bashkimit Europian, por duhet t’i diskutojmë edhe me popullin serb. Na nevojitet një diskutim i gjerë publik për të ardhmen e Serbië. Kaq! Duhet të jemi të ndershëm me njeëzit tanë, t’u themi gjithçka dhe të vërtetën dhe në fund ata të thonë fjalën e tyre”- deklaroi Vuçiç.

Kryeministri serb thotë se është i vetëdijshëm që kjo temë nuk pritet mirë mes serbëve, por tha se për hir të rrugës pa kthim të integrimit në BE, kjo çështje herët a vonë do të trajtohet.

Deklarata e kryeministrit serb u bë nga Shtetet e Bashkuara ku ndodhet për një vizitë zyrtare për të kërkuar ndihmën e Uashingtonit për integrimin në BE. Si për balancë, presidenti Tomislav Nikoliç mbërriti të premten në Moskë për të marrë pjesë në paradën e organizuar nga Vladimir Putin me rastin e 70-vjetorit të fitores kundër nazizmit.

Top Channel