Veliaj në Ndroq: Kryebashkiaku, jo për të sulmuar qeverinë. Departament Bujqësie në bashki

08/05/2015 00:00

Nga Ndroqi, ndalesa për dëgjesën e radhës me qytetarët, kandidati i mazhorancës Erion Veliaj ka thumbuar Lulzim Bashën, duke thënë se drejtimi i bashkive nuk duhet për të sulmuar qeverinë, por për të ndihmuar qytetarët.

“Kanë nxjerrë një teori tani dhe thonë se u duhet pushteti sërish, pavarësisht se nuk kanë bërë asgjë, sepse me të mund t’i bien sërish Edi Ramës. Po ju çfarë do i thoni? A ju intereson juve t’i bini Edi Ramës? Pushteti që delegoni ju është për të mbaruar punët tuaja, jo për të mbaruar punët e opozitarëve. Pushteti që jepni duhet që ta bëjë shkollën këtu njësoj si në Bllok, ashtu sikurse edhe Qendra Shëndetësore këtu, të jetë si në mes të Tiranës. Juve u duhet që çerdhja këtu të funksionojë njësoj si çerdhja në lagjen më të mirë të Tiranës, ashtu sikurse cilësia e rrugëve këtu, që duhet të jetë si në bulevardet e Tiranës. Pushtetin mos e jepni që t’i bien qeverisë, mbajeni për vete dhe jepjani atij që mbaron punët tuaja dhe që e çojnë Tiranën në drejtimin e duhur”, tha Erion Veliaj përpara të pranishmëve.

Duke u ndalur te shqetësimet e banorëve të kësaj zone, Veliaj premtoi krijimin e një Departamenti të Bujqësisë në bashki, si dhe ngritjen e tregjeve ditore.

“Propozimi ynë është tregje të rregullta dhe sipas temës. Një ditë do të bëjmë tregje të hapura në rrugët e Tiranës, duke i vendosur një herë në Kombinat, një ditë në Kinostudio, një ditë në Laprakë, në Sauk, në Bllok, një ditë te rruga e Elbasanit. Që ne të kemi një strukturë për bujqësinë, duke qenë se territori tani është shumëfish më i madh i Tiranës së vjetër. Tashmë fillon në Shëngjergj dhe mbaron në Ndroq. Edhe bashkia e re do të ketë një departament të bujqësisë dhe me fondin që kemi, do të shohim të bëjmë sa më shumë projekte ku t’i hedhim paratë bashkë”, deklaroi Veliaj.

Veliaj: Rregulla në shërbimin taksi
“Do të largohen taksitë pa licencë dhe do respektohen vendqendrimet”

Më herët, Veliaj është takuar me shoqatat e taksive. Ai theksoi se kryeqyteti, prej kohësh po përballet me ilegalitetin, por edhe me një amulli në transportin publik, i cili nuk do të zgjasë për shumë kohë.

“Në momentin që ne do të kemi një drejtues të Policisë Bashkiake, që shoqata e taksive apo sindikata e raporton si të paaftë, ose si të korruptuar, ju garantoj që në 100% të rasteve do të ketë të drejtë sindikata dhe jo polici i bashkisë”, deklaroi Veliaj.

Top Channel