F1, Hamilton lavdëron skuadrën për përmirësimet cilësore

08/05/2015 00:00

Piloti britanik i Mercedesit, Lewis Hamilton këmbëngul se ekipi i tij ka adoptuar një sjellje “cilësie mbi sasinë” sa u përket përmirësimeve të fundit përpara Çmimit të Madh të Spanjës.

Shumë ekipe priten të sjellin pjesë të reja në pistën e Katalunjës, në Montmelo, në përpjekje për të përmirësuar performancat e tyre krahasuar me 4 garat e para të këtij sezoni.

Por, Hamilton, i cili ka fituar 3 prej tyre në synimin e tij për të mbrojtur titullin kampion për pilotë, shprehet i kënaqur me pozicionin aktual të Mercedesit dhe progresin e bërë krahasuar më vitin e kaluar.

“Kemi bërë të mundur disa përmirësime cilësore dhe jo sasiore”, ka thënë ai. “Ndihem i gëzuar me mënyrën sesi ka shkuar kampionati deri më sot. Kur mbaroi gara e fundit, u largova me avion dhe teksa isha i ulur në bordin e tij mendoja për dyjavëshin e bukur që kisha kaluar deri në ato momente”.

“Kur gjendesh pas një sezoni si ai i vitit të kaluar, të sigurosh vazhdimësinë nuk është e lehtë, të bësh atë çka bëre në të kaluarën apo edhe më mirë, gjithashtu nuk është e lehtë. Megjithatë, deri më sot mendoj se kemi bërë maksimumin e mundshëm, ndoshta edhe më mirë se në të kaluarën, duke parë që edhe rivalët janë përmirësuar. Ndihem mirë me punën e bërë”, tha Hamilton.

Edhe shoku i skuadrës, që shihet si rivali kryesor i britanikut në garën për titull, pavarësisht se nuk ka arritur asnjë fitore këtë sezon, duket se kërkon të rikthehet në krye të garës gjatë kësaj fundjave në Spanjë.

“Në Barcelonë do të jetë një garë krejtësisht e ndryshme nga ato deri më tani, por vij në këtë moment me një shtysë nxitëse më të madhe, duke parë performancën në Bahrein. Thjesht dua të marr maksimumin e mundshëm nga kjo fundjavë, nuk dua të mendoj më gjatë sesa kaq”.

Top Channel