Basha prezanton kandidatët në Mat dhe Klos

08/05/2015 00:00

Lideri i Opozitës, Lulzim Basha u ndal të premten në qytetin e Burrelit ku dhe prezantoi kandidatin e së djathtës për Bashkinë e Matit, Nezir Rizvani.

Basha u shpreh se, edhe pse bashkia aktuale i takon së majtës, në të nuk është përmirësuar aspak jeta e qytetarëve të saj.

“Çfarë thotë Edi Rama? Mos i jepni votë PD-së se do t’ju shkojë kot? Po të pyesim pak këtu në Rrëshen, këtu e keni edhe kryetarin socialist, a mos është ndryshe këtu? A mos ka vende pune këtu? A mos ka investime këtu? A mos ka mirëqenie këtu? Kryetari është socialist. Po në Vlorë? Po në Fier? Po në Korçë? Po në Elbasan? Po në Durrës? Po në Lezhë? Të gjitha këto i qeverisin socialistët, ka dy vite. A mos ka pasur punësim aty? A mos ka pasur investime aty? A mos është shëndetësia falas aty?”, tha Basha.

Në takimin me qytetarët, Basha, tha se kjo qeveri në dy vite vetëm sa e rrënoi popullin. Sipas tij, ata jo vetëm që nuk mbajtën premtimet e dhëna, për hapjen e 300 vendeve të reja të punës, por e varfëruan çdo ditë e më shumë.

“Taksat janë rritur, fatura e energjisë është rritur, çmimi i karburantit është rritur. Janë rritur sepse paguajmë sot plot 240 lekë të vjetër për litër më shumë taksë se para dy vitesh. Pyetja është, ku janë paratë tuaja? Ku shkojnë paratë e mbledhura nga taksat e rritura? Borxhin jo vetëm se kanë larë, por e kanë shtuar. Investime  të reja nuk kanë hapur, madje edhe investimet që gjetën ecin me ritmin e breshkës, ose i kanë bllokuar. Vende pune nuk kanë hapur, shëndetësi falas jo, arsim dhe akses për të gjithë jo, madje i kanë mbyllur gjysmën e universiteteve. Çfarë kanë bërë me paratë tuaja?”, u shpreh Basha. 

Ai tha më tej se kjo qeveri do të marrë përgjigjen e merituar me 21 qershor, edhe pse po mundohet të përdorë çdo formë për të trembur popullin, me presion të drejtpërdrejtë apo duke urdhëruar vartësit e tij.

Basha u ndal edhe në Klos, ku dhe prezantoi po ashtu kandidatin për zgjedhjet e 21 qershorit, Basir Çupa. Edhe nga kjo qytezë, Basha e quajti qeverinë aktuale si “rrënuese të popullit” dhe e akuzoi se me çdo formë po mundohet t’i detyrojë ata ta votojnë sërish në zgjedhjet lokale.

“Presioni që po përdoret ndaj qytetarëve nuk do të ketë efekt. Dyshja Rama-Meta do të marrë një përgjigje të fortë”, tha Basha.

Ai shtoi më tej se jo vetëm Klosi, por e gjithë Shqipëria do t’i japë qeverisë përgjigjen e merituar. “Me fitoren e kandidatit Çupa, Klosi do të ketë më shumë mirëqënie, punësim e dinjitet”, u tha Basha banorëve.

Top Channel