Nishani: Ndaj KLD po ushtrohet presion

08/05/2015 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani deklaroi se ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë po ushtrohet presion prej klasës politike dhe pushtetit.

Në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës, kreu i shtetit iu përgjigj edhe kritikave në adresë të KLD-së për mosveprim në rastet e gjyqtarëve të korruptuar.

“Puna e KLD nuk është e përsosur. Unë jam munduar si një drejtues për të inkurajuar anëtarët e KLD që të jenë të përgjegjshëm, por për hir të vërtetës ka pasur një numër të caktuar gjyqtarësh që janë përjashtuar, janë adresuar dhe deleguar hetimit penal. Ajo që kërkoj dhe do vazhdoj të kërkoj është që anëtarët e Këshillit të dalin përtej angazhimeve të tyre në raportet personale me gjyqtarët dhe t’i qëndrojnë fort presionit të politikës, që për fat të keq është prezent përmes presionit, korruptimit administrativ, forma të ndryshme nga pushteti që ka ç’ofron në këmbim të ndereve”- deklaroi Nishani.

Presidenti arsyetoi vonesën për emërimin e një nënkryetarit të KLD-së me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi nenin në fjalë të ligjit për KLD-në.

Lidhur me dekriminalizimin, Nishani tha se është turp që pas kaq shumë vitesh demokraci të diskutohet ende kjo çështje nga ndërkombëtarët dhe u kërkoi aktorëve politikë që të nxjerrin sa më parë jashtë Parlamentit dhe administratës të gjithë njerëzit me rekorde kriminale.

Top Channel