Aksidenti në lumin Kir, guida e palicencuar

08/05/2015 00:00

Zbritja e turistëve çekë në lumin Kir është bërë pa shoqërimin e guidave profesionale dhe te licensuara nga shteti shqiptar. Kjo është deklarata që vjen nga Federata Shqiptare e Rafting, që ka shprehur keqardhjen për aksidentin, por që ka apelur organet shtetërore që të marrin masa ndaj personave fizik dhe juridik, të palicencuar nga kjo federatë, që organizojnë këto aktivitete sportive-turisitike.

“Rafting në Shqipëri është një aktivitet që duhet të organizohet nga kompanitë ose personat juridike të njohura nga Federata Shqiptare e Rafting, të drejtohet nga guida profesionale të licencuara nga kjo federatë, të pajisura me lejen përkatëse të drejtimit, si dhe të jenë të kompletuara me pajisjet dhe veshjet e destinuara për  këtë përdorim”-, thuhet në deklaratën e FShR-së.
 
Sipas kësaj deklarate, disa persona fizik dhe juridik, në vazhdimësi janë duke rrezikaur jetën e turistëve shqiptarë dhe të huaj, dhe pavarësisht denoncimeve, organet shtetërore ende nuk kanë marrë asnjë masë ndaj tyre.

“FShR kërkon bashkëpunimin e institucioneve përgjegjëse shtetërore në ruajtjen e sigurisë së ushtrimit të rafting, duke përfshihë strukturat përkatëse për kontrollin dhe verifikimin e ligjshmërisë së subjekteve që ushtrojnë këtë aktivitet sportivo-turistik në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”-, thuhet më tej në këtë deklaratë.

Ndërkohë, për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla të rënda, nga kjo federatë thonë se guidat sportive-turistike duhet të ofrohen nga subjekte të ligjshme dhe të licencuara nga Federata Shqiptare e Rafting për organizimin e këtyre itinerareve sportivo-turistike.

Top Channel