Kosovë, diskutime për arsimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

08/05/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës ka diskutuar të premten për gjendjen e vështirë të arsimit në Luginën e Preshevës, por në fund të debatit nuk pati kuorum të mjaftueshëm, për të miratuar rekomandimet që kërkuan deputetët.

Gjatë diskutimit, deputetët bënë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës për mos ngritjen e çështjes së arsimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në bisedimet me Serbinë.

Nismëtari i këtij debati, deputeti i PDK-së Nait Hasani tha se, gjatë një vizite që kanë bërë në Luginën e Preshevës kanë mësuar se, arsimi atje është në gjendje të rëndë, për faktin se shteti serb ende nuk është liruar nga mentaliteti i regjimit të Millosheviçit, në shtypjen dhe asimilimin e shqiptarëve në atë rajon.

“Aty mësuam që në shkolla nuk ka më libra të botuara në shqip, të cilat botohen në Republikën e Kosovës. Librat, që ishin botuar dhe ishin dërguar për në shkollat e Preshevës, xhandarmëria serbe i ka konfiskuar. Sot në shekullin 21, shteti serb ka burgosur librat shqip nën vëzhgimin e Brukselit. Serbia ka tentuar të burgosë Kosovën, por duke qenë se këtë nuk mundet ta arrijë, tashmë si hakmarrje ka burgosur atje librat shqip, abetaren shqipe, duke tejkaluar edhe kohën e Mesjetës, gjatë së cilës perandoria osmane luftonte kundër mësimit dhe shkrimit shqip, nëpër shkollat shqipe”, tha Nait Hasani, deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Ne si Kuvend mund ta miratojmë një rezolutë me rekomandime, ku reciprociteti shtrohet si parim, por Qeveria nuk do ta respektojë atë dhe do ta shkelë. Reciprociteti, si parim dhe si qëndrim duhet të kemi kujdes që të shtyhet nga Kosova, e jo nga Shqipëria, sepse në këtë mënyrë po barazohen të ashtuquajturit serbët e veriut me shqiptarët e Luginës. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc duhet të kenë universitetin me disa fakultete, e jo siç tha ministri i Arsimit, Bajrami, të mbështeten në Universitetin e Gjilanit, ku ka rreth 20 mijë qytetarë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci. Ky numër nuk ka nevojë të rritet në Gjilan, por ne duhet ta zvogëlojmë numrin e atyre, që kanë ikur nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, duke u kthyer këta atje”, tha Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes.

Ministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami, pasi dëgjoi debatin dhe rekomandimet e deputetëve, bëri me dije se, nga shtatori i këtij vitit, edhe nxënësit e Luginës do të pajisen me libra shqip.

“Tanimë, ne kemi identifikuar problemet konkrete për tekste dhe i kemi porositur ato. Ka filluar prodhimi për çdo nxënës të Luginës së Preshevës. Ministria e Arsimit e ka përfunduar procesin e fillimit të botimit, meqë ne financojmë falas si shtet librat e arsimit parauniversitar. Në sfondin e librave kemi vendosur edhe gjithë kërkesat që vijnë nga Lugina e Preshevës. Gjithë nxënësit, nga 1 Shtatori do ta kenë falas pakon e të gjitha librave dhe jo vetëm; hartat, mjetet e konkretizimit dhe të gjitha mundësitë që kërkojnë një mësimdhënie moderne”, tha Arsim Bajrami, ministër i Arsimit në Kosovë.

Ministri kosovar i Arsimit tha se Qeveria e Kosovës do të rrisë edhe kuotën e studentëve nga Lugina e Preshevës për të studiuar në Universitetin e Prishtinës.

Top Channel