Në gjyq, piloti italian i avionit që ra në Divjakë

08/05/2015 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen ndaj shtetasit italian, Giorgio Riformato, i akuzuar për trafik droge.

Riformato drejtonte avionin tip “Piper” që ngeci më 10 prill të vitit të kaluar në rërën e plazhit të Divjakës, me 300 kg. lëndë narkotike canabis sattiva.

Së bashku me të, për gjykim janë dërguar edhe shtetasit Sajmir Bajrami, Kleviol Ahmeti, Aurel Pupe dhe, në mungesë, shtetasit Mareglen Ymeraj, Kristian Demçe dhe Orgest Bilbili.

Në bazë të hetimit, ka rezultuar se shtetasit Sajmir Bajrami dhe Giorgio Riformato kanë hyrë nga Italia në Shqipëri pak ditë para ngjarjes dhe, përmes të pandehurve të tjerë, dyshohet se kanë siguruar lëndën narkotike, që do ta trafikonin drejt Italisë nëpërmjet një avioni sportiv, të drejtuar nga piloti italian.

Avioni i drejtuar nga shtetasi Riformato është gjetur i ulur në zonën e plazhit të Divjakës, me një rrotë të thyer, në pamundësi për t’u ngritur. Pranë avionit, nga policia u gjetën disa çanta, brenda të cilave, sipas ekspertizës së mëvonshme, rezultonte sasia prej 94 kilogramë canabis sattiva.

Në vijim të veprimeve policore, u arrit të zbuloheshin edhe disa çanta të tjera, në një rrugë në afërsi të vendit ku gjendej avioni, në automjetin tip “Mitsubishi”, të drejtuar prej Sajmir Bajramit. Nga ekspertiza e kryer mbi lëndën e gjetur në këto çanta rezultoi se ishte lëndë narkotike canabis, me peshë 211.8 kg.

Pas veprimeve hetimore paraprake, është kryer arrestimi i shtetasve Giorgio Riformato dhe Sajmir Bajrami. Më pas, në vijim të hetimeve të zhvilluara nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u arrit të identifikoheshin edhe bashkëpunëtorët e tjerë, për të cilët po dërgohet bashkërisht kërkesa për gjykim. Ky procedim penal është ndarë dhe po vijojnë hetime të mëtejshme për persona të tjerë të përfshirë.

Ngjarja ndezi debatet mes mazhorancës dhe opozitës, që akuzonte qeverinë për përfshirje në trafikun e drogës.

 

Top Channel