Rama e Meta prezantojnë Sejdinin në Elbasan: Rruga e duhur drejt zhvillimit

08/05/2015 00:00

Kryeministri i vendit, Edi Rama tha nga Elbasani se, ky qytet është shembulli më i mirë i Rilindjes urbane.

“Do të vazhdojmë të mbështesim me të gjitha mundësitë këtë qytet dhe këtë bashki të re, që për kaq shumë vite u la pas dore dhe që në 18 muajt e fundit ka filluar të ringrihet me shpejtësi e të ecë po me shpejtësi në drejtimin e duhur, duke u bërë në nga shembujt më të shkëlqyer të Rilindjes urbane, që rrezaton jo vetëm për zonën përreth, por për të gjithë Shqipërinë”, u shpreh kreu i ekzekutivit, Rama.

Duke prezantuar kandidatin Qazim Sejdini, Rama qëndroi gjatë në prezantimin e projekteve të qeverisë për këtë zonë, ku më kryesori mbetet ai i përpunimit të mbetjeve urbane.

“Sot ne jemi krenarë, sepse ishte një nga zotimet më të rëndësishme dhe nga kërkesat më këmbëngulëse të këtij komuniteti, që pas 23 Qershorit të sistemohej njëherë e mirë kjo çështje. Tanimë, jo vetëm që po sistemohet, por po ngrihet dhe impianti i parë i teknologjisë së lartë të përpunimit të mbeturinave dhe të prodhimit të energjisë në Shqipëri, këtu në Elbasan, falë projektit të Qazimit dhe falë mbështetjes së qeverisë sonë”, shtoi më tej Edi Rama.

Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta u shpreh se Elbasani është në rrugën e duhur të zhvillimit me Qazim Sejdinin.

“Për të zhvilluar zona industriale, për të zhvilluar turizmin deri në Shpat dhe në Gjinar, për të zhvilluar bujqësinë dhe agrobiznesin, për ta shndërruar Elbasanin në një qendër të fuqishme dhe motor të rëndësishëm të të gjithë ekonomisë kombëtare, jo vetëm të Qarkut të Elbasanit. Ashtu sikurse e meriton tradita juaj dhe vullneti juaj për të ecur më shpejt në rrugën e ringritjes ekonomike, ku vendi ynë tashmë ka hyrë”, deklaroi kryeparlamentari Ilir Meta.

Top Channel